19 vjet më parë, më 6 shkurt të vitit 2007, ndërroi jetë aktori i madh dhe “Nderi i Kombit”, Kadri Roshi.
Kolosi i skenës dhe ekranit shqiptar, prej moshës 21-vjeçare e përgjatë gjithë karrierës së tij, përjetësoi mbi 180 role dhe figura që nuk do të harrohen kurrë, duke lënë pas një trashëgimi artistike që sfidon kohën.
Kadri Roshi është në piedestalin e legjendave të pavdekshme të teatrit dhe filmit shqiptar. Ai lindi më 4 janar të vitit 1924 në Ballsh, në një familje me prejardhje nga Libohova. Aktori përjetoi një vegjëli të trazuar, pasi humbi të emën teksa ishte 2 vjeç dhe mbeti jetim dhjetë vjet më vonë, kur vdiq edhe i ati.
Karriera e tij si aktor nisi në moshën 21-vjeçare në skenën e Teatrit Popullor. Në vitin 1951 u diplomua në Pragë. Me t’u kthyer në vendin e tij të origjinës, Roshi rimori ekzekutimin e roleve të para në logun e jetës artistike të vendit, Teatrin Kombëtar.
Rolet e tij variojnë nga skllavi Ezop, te kujdestari tek “Lulëkuqe mbi mure”, si edhe nga mbrojtësi i thekshëm i gjuhës shqipe në Rilindje, deri te plaku Mere te “Njeriu me top”, raporton atsh.
Për kontributin e dhënë në artin shqiptar, Kadri Roshi u nderua me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik të vitit 1995, me titullin “Artist i Populli”, me Çmimin e Madh të Nderit në vitin 1997 dhe iu akordua urdhri “Nderi i Kombit” në vitin 1999.



