spot_img
E mërkurë, 4 Shkurt, 2026
02:10
HomeKulturë20 vjet pa shkrimtarin dhe intelektualin Vath Koreshin

20 vjet pa shkrimtarin dhe intelektualin Vath Koreshin

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Sot mbushen 20 vjet nga ndarja nga jeta e shkrimtarit dhe intelektualit Vath Koreahit, i cili u shua më 3 shkurt 2006 në Spitalin Gemelli në Romë, pas një beteje të gjatë me sëmundjen. Atij do t’i duheshin edhe tre muaj për të festuar 70-vjetorin e lindjes, një përvjetor që nuk arriti ta përjetojë.

Vath Koreshi mbetet një nga figurat më të veçanta të letërsisë dhe mendimit shqiptar, një autor që me veprën dhe qëndrimin e tij intelektual i përket jo vetëm familjes së ngushtë, por kulturës kombëtare në tërësi. Megjithatë, dy dekada pas ndarjes së tij nga jeta, përpjekjet për botimin e plotë të veprës së tij kanë mbetur pa rezultat.

- Advertisement -

Familja e autorit ka shprehur gatishmërinë për ta realizuar këtë nismë, por pyetja thelbësore mbetet: a duhet që barra e ruajtjes dhe botimit të trashëgimisë së një figure të tillë t’i takojë vetëm familjes? Apo është një përgjegjësi institucionale dhe shoqërore, që lidhet drejtpërdrejt me kujtesën kulturore të vendit?

Viti 2026 përkon me një vit jubilar për letërsinë shqipe, ku shënohen 95-vjetori i lindjes së Dritëro Agollit dhe 90-vjetori i lindjes së Ismail Kadaresë. Po këtë vit shënohet edhe 90-vjetori i lindjes së Vathit, një moment simbolik që do të duhej të shërbente si nxitje për vlerësim dhe rikthim të vëmendjes ndaj veprës së tij.

- Advertisement -

Megjithatë, para pesë vitesh, një bord vlerësimi në Shqipëri, i përbërë nga figura të botës akademike dhe kulturore, nuk e konsideroi të arsyeshme mbështetjen e kërkesës së familjes për ta nderuar kujtimin e Vathit përmes botimit të veprës së tij. Një vendim që, sot e kësaj dite, lë pas një ndjenjë keqardhjeje dhe boshllëku institucional.

Vathi është nga ata autorë që nuk mund dhe nuk duhet të mbeten vetëm pronë e familjes, por pjesë e ndërgjegjes kulturore kombëtare. Trashëgimia e tij letrare dhe mendore kërkon vëmendje, studim dhe mbështetje, për t’u ruajtur dhe transmetuar te brezat që vijnë.

Në 20-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, kujtimi i Vathit mbetet i gjallë përmes veprës, fjalës dhe ndikimit që ka ushtruar në mendimin shqiptar. I nderuar qoftë kujtimi i tij. /atsh

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat