Kosova shënon sot 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ku më 15 janar 1999, në këtë fshat forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Me këtë rast do të organizohen aktivitete përkujtimore me rastin e 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut.
Më 15 janar 1999, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të Shtimes. Deklarata publike e Walkerit, i cili e cilësoi ngjarjen si masakër ndaj civilëve, tronditi bashkësinë ndërkombëtare dhe shënoi një pikë kthese në angazhimin ndërkombëtar për Kosovën.
Pas Reçakut, u intensifikuan përpjekjet diplomatike që çuan drejt Konferencës së Rambujesë (Francë) dhe më pas ndërhyrjes së NATO-s, duke hapur rrugën drejt çlirimit të Kosovës. Masakra e Reçakut mbetet simbol i vuajtjeve të popullit të Kosovës dhe një dëshmi e rëndësisë së së vërtetës dhe drejtësisë.
Ndryshe me aktivitete të ndryshme përkujtimore, Kosova shënon 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më të rënda të historisë së fundit të Kosovës. Në kuadër të “Ditëve të Reçakut”, institucionet vendore dhe qendrore, së bashku me shoqatat e dala nga lufta, organizojnë një sërë aktivitetesh në nderim dhe kujtim të viktimave, me qëllim ruajtjen e së vërtetës historike dhe përcjelljen e saj te brezat e rinj.
Sot, në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës do të mbahet ora e parë mësimore kushtuar 15 Janarit – Masakrës së Reçakut. Po ashtu, në ora 09:00 do të zhvillohen homazhe nga niveli komunal në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime, Mollopolc dhe Reçak, në ora 10:30 homazhe nga krerët e shtetit në Kompleksin Memorial në Reçak, në ora 12:00 do të mbahet Akademi përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, në ora 13:00 do të hapet ekspozita tradicionale “Çmimi William Walker 2026”, edicioni II, ideatore dhe krijuese Emine Jetishi, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, ndërsa në ora 15:00 do të zhvillohet finalja në futboll të vogël e Turneut Memorial “Ditët e Reçakut”, në fushën sportive “Arbëri” në Reçak.
Dje, në të gjitha shkollat e Komunës së Shtimes është mbajtur ora e parë mësimore kushtuar 15 Janarit – Masakrës së Reçakut, po ashtu, në Bibliotekën e Qytetit, u organizua tryezë shkencore në përkujtim të të rënëve të Masakrës së Reçakut, nga Forumi i Intelektualëve të Shtimes, me temën “Mohimet serbe të krimeve dhe gjenocidit – destabilizim për Ballkanin”.
Këto aktivitete mbahen nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Kryetarit të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, si dhe Shoqatave të Dala nga Lufta.
Osmani takon ambasadorin Walker në prag të përvjetorit të Masakrës së Reçakut



