Në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në shënim të 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, Kryeministri Albin Kurti vlerësoi fuqizimin e ushtrisë dhe rolin historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kurti tha se tradita e nisur 26 vite më parë nga UÇK-ja, kur për herë të parë u organizua ceremonia e Epopesë së UÇK-së, tani është formalizuar si protokoll shtetëror i Republikës së Kosovës. Ai theksoi se sot, FSK-ja është më e pajisur, më e armatosur dhe më e trajnuar se kurrë më parë, falë investimeve të vazhdueshme dhe bashkëpunimit me vendet aleate, veçanërisht ato të NATO-s.
Duke iu drejtuar pjesëtarëve të ushtrisë, ai tha se ata mbajnë në duar armët dhe flamujt e lirisë, duke nderuar Kryekomandantin Adem Jashari, familjen Jashari dhe të gjithë ata që luftuan për Kosovën. Kurti përmendi se edhe sot, në mesin e FSK-së, ndodhen veteranë të UÇK-së, përfshirë edhe Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i cili përfaqëson trashëgiminë e drejtpërdrejtë të luftës dhe rezistencës së Jasharëve.
Kryeministri nënvizoi përparimin e Kosovës në fushën e mbrojtjes, duke theksuar rritjen e buxhetit për FSK-në, blerjen e armëve moderne, furnizimin me municione dhe zgjerimin e bashkëpunimit me NATO-n. Ai përmendi se Kosova tashmë ka nisur hapat për prodhimin e municioneve dhe dronëve ushtarakë “Made in Kosova”, duke shënuar një arritje historike.
Kurti përfundoi fjalimin e tij duke deklaruar se Kosova është më e fuqishme dhe më e sigurt se kurrë më parë, me synimin e qartë drejt anëtarësimit në NATO dhe forcimit të rolit të saj në sigurinë ndërkombëtare.
🔹 “Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit! Rroftë Kosova Republikë!” – përfundoi ai.