spot_img
E diel, 28 Shtator, 2025
17:57
HomeKulturëPanajot Kanaçi, babai i koreografisë shqiptare

Panajot Kanaçi, babai i koreografisë shqiptare

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Përkujtohet në ditën e lindjes babai i koreografisë shqiptare, të madhin, Panajot Kanaçi.

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor soli në këtë ditë disa nga momentet kyçe të jetës dhe karrierës së tij duke vënë në dukje se Panajot Kanaçi është emri që i ka dhënë vlera të mëdha baletit dhe valles shqiptare.

- Advertisement -

Ende sot, pas kaq dekadash, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor mbeten të gjalla krijimet e tij koreografike, baletet dhe vallet, me të cilat Shqipëria është prezantuar denjësisht para publikut shqiptar e të huaj dhe ka fituar çmime e vlerësime.

Panajot Kanaçi u lind në Delvinë më 2 gusht 1923. Kreu Liceun Artistik në vitin 1943 dhe iu përkushtua me pasion artit të kërcimit.

- Advertisement -

Ishte viti 1946 kur Kanaçi nisi pranë Shkollës Pedagogjike punën koreografike me një grup vajzash; më pas mblodhi rreth vetes djem e vajza që kishin dëshirë të kërcenin dhe me to krijoi bërthamën e parë të trupës artistike të baletit.

Me krijimin e Filarmonisë në vitin 1950 nisi një periudhë e rëndësishme e krijimtarisë së Kanaçit. Ai jo vetëm që ndihmoi në vënien e disa veprave të rëndësishme nga regjisori rus Perkun, por ishte edhe interpretues i shkëlqyer i roleve kryesore në dy baletet e asaj kohe: “Shatrivani i Bahçisarait” dhe “Esmeralda”.

Kreu studimet e larta për regjisor-baletmaestër në Institutin Shtetëror të Artit Teatror në Moskë, ku krahas studimeve zhvilloi edhe një veprimtari të dendur krijuese me valle shqiptare dhe balete klasike.

Në vitin 1961 u kthye nga studimet në Moskë dhe nisi punën e tij krijuese.

Si udhëheqës artistik dhe baletmaestër i trupës së baletit të TOB-it, Kanaçi vuri në skenë baletin e parë kombëtar shqiptar “Halili dhe Hajrija” në vitin 1963, që u pasua nga baletet “Delina”, “Joniada”, “Shota dhe Azem Galica”, “Bijtë e peshkatarit” etj. Në karrierën e tij nuk mungojnë edhe baletet e huaja si “Franceska da Rimini”, “Paganini” apo miniatura baletesh.

Panajot Kanaçi ishte mjeshtër i madh i artit koreografik shqiptar dhe krijues i valleve popullore të të gjitha trevave të vendit. Mjeshtri Kanaçi realizoi një fond të pasur vallesh, të cilat kanë vlera të veçanta.

Sukseset e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, me të cilin ai ishte ngushtësisht i lidhur, janë kryesisht sukseset e tij.

Vallet e profesorit kanë korrur sukses në Evropë, Azi, Afrikë, SHBA, Kinë, Kanada, duke filluar me “Vallëzimin e shqipeve”, ku çdo valltar ishte një shqipe e gjallë në skenë. Më pas vijoi me krijime të tjera të çdo krahine si:

“Mal e ngritëm lumturinë”, “Valle e liqenit”, “Vallja e Osman Takës”, “Festë në Dropull”, “Sup më sup të lidhur jemi”, “Motive çame”, “Valle me motive kosovare”, “Oshtima e maleve”, “Luftëtarët e lirisë”, duke arritur majat artistike me vallen madhështore “Festë të madhe ka sot Shqipëria”.

Ai është nderuar me tituj të shumtë, ndër të cilët “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh”. /atsh

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat