NATO dhe Ukraina do të zhvillojnë bisedime urgjente pasi Rusia sulmoi një objekt ushtarak në qytetin qendror të Ukrainës, Dnipro, duke përdorur një raketë balistike eksperimentale hipersonike.
Ngjarja ishte një përshkallëzim i luftës, për të cilën kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka thënë se “po hyn në një fazë vendimtare” dhe “duke marrë përmasa shumë dramatike” ndërsa zgjat 33 muaj.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha në një fjalim televiziv të premten se sulmi me raketa ishte kundërpërgjigje ndaj Ukrainës duke përdorur raketa me rreze më të gjatë të afta për të goditur më tej territorin rus, të cilat ishin siguruar nga SHBA dhe Britania.
Putin pohoi gjithashtu se “askush në botë nuk ka armë të tilla” dhe se sistemet perëndimore të mbrojtjes ajrore nuk do të ishin në gjendje të ndalonin raketën e re.
Ai shtoi se testimi i raketës do të vazhdojë, “përfshirë në luftime, në varësi të situatës dhe karakterit të kërcënimeve të sigurisë të krijuara për Rusinë, dhe se ka “një rezervë sistemesh të tilla gati për përdorim”, raporton Euronews.
Parlamenti ukrainas anuloi një seancë si masë sigurie pasi sulmi u krye të enjten.
Zyrtarët ushtarakë në vend thanë se raketa që goditi Dnipro kishte arritur një shpejtësi prej 11 Mach dhe mbante gjashtë koka luftarake jo-bërthamore, ku secila lëshonte gjashtë nën municione.



