Në prag të 28 Nëntorit, kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, e nisi ditën në Boletin, duke përkujtuar figurën e Isa Boletinit.

“Në Boletin, aty ku prehet Isa Boletini, njeriu që u njoh dhe u respektua nga kancelaritë më të fuqishme të kohës, gjithnjë në mbrojtje të së drejtës së shqiptarëve që për dekada u mohua padrejtësisht, ndjeva krenarinë e përjetshme që na lë trashëgimi figura e tij”, tha Haradinaj.

Postimi i plotë:
Në prag të ditës më të rëndësishme për kombin shqiptar, 28 Nëntorin, ditën e nisa në Boletin, aty ku prehet njeriu simbol i atdhedashurisë, Isa Boletini. Një burrë që u njoh e u respektua edhe nga kancelaritë më të fuqishme të kohës, gjithnjë në mbrojtje të së drejtës së shqiptarëve, që për dekada u mohua padrejtësisht.
Isa Boletini ishte mishërim i krenarisë kombëtare, një udhëheqës që fatin e tij e lidhi me fatin e Atdheut. Ai mbetet një shembull frymëzimi për të gjithë ne, për të dashur dhe mbrojtur lirinë, identitetin dhe të drejtat tona, siç ai bëri me guxim dhe përkushtim të pashoq.



