Nëse brenda një periudhe të shkurtë kohore nuk gjendet një zgjidhje për të furnizuar me ujë Termocentralin Kosova B, Kosova rrezikon të hyj në një situatë të vështirë të furnizimit me energji.
Burime brenda Korporatës Energjetike të Kosovës kanë sqaruar se dy blloqet e këtij termocentrali që prodhojnë rreth 1 mijë megavat energji elektrike, furnizohen me ujë nga Ibër-Lepenci.
“Këto blloqe mund të funksionojnë pa furnizim me ujë vetëm 8 deri në 10 orë dhe nëse deri në atë kohë nuk gjendet ndonjë zgjidhje, blloqet duhet të ndalen së funksionuari”, ka thënë ky burim për Storm.
Ndërprerja e tyre nuk do sillte vetëm mungesë të energjisë, por edhe një telashe të madhe për kryeqytetin.
Kjo për faktin se avulli që prodhohet nga këto termocentrale, furnizon ngrohtoren e kryeqytetit Termokos dhe me këtë rast qytetarët duhet të mendojnë një zgjidhje tjetër, ose Termokosi duhet të blejë mazut.



