Policia e Kosovës ka raportuar për dy raste të vdekjeve që po hetohen në komunat e Gjilanit dhe Gjakovës.
Në Gjilan, më 30 nëntor 2024, rreth orës 14:00, një qytetar ka raportuar se viktima mashkull kosovar, i cili një ditë më parë kishte qenë në spital për kontroll mjekësor dhe ishte liruar, ka pasur një përkeqësim të gjendjes shëndetësore.
Ndërsa, po dërgohej në emergjencë, ai ka ndërruar jetë. Rasti është duke u hetuar nga autoritetet.
“Gjilan / 30.11.2024 – 14:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se viktima mashkull kosovar me 29.11.2024 ka qenë në spital për kontroll mjekësor dhe është liruar, ndërsa sot i është keqësuar gjendja shëndetësore dhe duke u dërguar në emergjencë, i njëjti ka vdekur. Rasti vazhdon të hetohet”, njofton raporti policor.
Në Gjakovë, po më 30 nëntor, rreth orës 17:10, është raportuar se një viktimë mashkull kosovar është gjetur i shtrirë në rrugë. Ai është dërguar menjëherë në spital, por ka ndërruar jetë.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i është dorëzuar familjarëve për ceremonitë mortore.