Presidenti i Koresë së Jugut, Yoo,n Suk Yeol, ka kërkuar falje për përpjekjen e tij për të vendosur ligjin ushtarak këtë javë, duke premtuar se do të përballet me çdo pasojë ligjore ose politike disa orë përpara se parlamenti të votojë për shkarkimin e tij.
Në një fjalim televiziv dyminutësh drejtuar kombit, paraqitja e tij e parë publike që nga anulimi i urdhrit të ligjit ushtarak të mërkurën, Yoon tha se i vinte “shumë keq” për vendimin, për të cilin ai tha se lindi nga dëshpërimi dhe premtoi se nuk do të përpiqej për të vendosur për herë të dytë gjendjen ushtarake.
“Më vjen shumë keq dhe do të doja t’u kërkoja sinqerisht falje njerëzve që u tronditën” tha Yoon dhe u përkul.
“I lë në dorë partisë sime që të ndërmarrë hapa për të stabilizuar situatën politike në të ardhmen, duke përfshirë çështjen e mandatit tim në detyrë”.
Por Lee Jae-myung, lideri i partisë kryesore opozitare Demokratike, e hodhi poshtë kërkesën e Yoon si “shumë zhgënjyese” dhe tha se kjo vetëm kishte rritur zemërimin dhe tradhtinë publike.
“Vetë ekzistenca e presidentit është rreziku më i madh për Korenë e Jugut tani”, tha Lee, duke pohuar se nuk kishte “zgjidhje tjetër” përveç dorëheqjes ose largimit të tij të menjëhershëm përmes shkarkimit.



