storm•/Ekskluzive:
Burimet e STORM brenda koalicionit bëjnë me dije se, pas një diskutimi të tensionuar ndërmjet udhëheqësve të ish-partnerëve të koalicionit AAK-NISMA-Konservatorët-Forumi Intelektual, është arritur në një pikë mosmarrëveshjeje lidhur me ndërtimin e listës së kandidatëve. Si pasojë, Konservatorët tashmë thuajse zyrtarisht nuk do të jenë pjesë e koalicionit që operon nën moton “Kosova direkt në NATO”.
Sipas të njëjtave burime, tensionet janë shkaktuar nga kërkesat e shumta nga anëtarë të shoqërisë civile për përfshirje në listën e kandidatëve për deputetë. Një rast i tillë që shkaktoi përplasje ishte ai i aktivistit Arton Demhasaj, që duket të ketë qenë pika e fundit e mospajtimeve.
Po ashtu, thuhet se lideri i koalicionit po përballet me tensione të ngjashme edhe me partnerë të tjerë politikë, duke vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e harmonisë brenda aleancës politike.
Mbetet për t’u parë nëse këto zhvillime do të ndikojnë në dinamikën e zgjedhjeve të ardhshme dhe në përbërjen e spektrit politik të Kosovës.



