Altin Dumani, kampion i antikorrupsionit: Blinken e cilëson ndër njerëzit më të besueshëm në Shqipëri
storm•/Antikorrupsion: Drejtuesi i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), Altin Dumani, është nderuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit si një nga 10 kampionët globalë kundër korrupsionit.
Gjatë ceremonisë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vlerësoi punën e Dumanit, duke e cilësuar atë dhe strukturën që drejton si ndër më të besueshmet në Shqipëri. Blinken theksoi se Dumani ka luajtur një rol kyç në goditjen e politikanëve të lartë dhe grupeve kriminale.
“Altin Dumani, nga Shqipëria, drejton një agjenci të re (SPAK). Ai ka goditur politikanë të lartë dhe grupe të mëdha kriminale, duke bërë një punë të jashtëzakonshme. Ai është ndër njerëzit dhe institucionet më të besueshme në Shqipëri,” tha Blinken.
Gjatë ceremonisë, Blinken prezantoi listën e “10 kampionëve globalë kundër korrupsionit”, duke theksuar rëndësinë e luftës kundër korrupsionit për të rikthyer besimin e qytetarëve te qeveria dhe për të luftuar aktivitetet kriminale dhe terrorizmin.
“Në momente kur qeveritarët korruptohen, qytetarët humbasin besimin dhe hapet rruga për kriminelët dhe terroristët. Ndaj ne mbështesim individë si Dumani, duke ofruar trajnim dhe ndihmë për vendet që përballen me këto sfida,” shtoi Blinken.