Prokurorët në Suedi kanë mbyllur një hetim për një rast të dyshuar përdhunimi, të cilin mediat suedeze e kishin lidhur me kapitenin francez të futbollit, Kylian Mbappé.
Marina Chirakova nga Autoriteti Suedez i Prokurorisë, tha se hetimi për një sulm të dyshuar të raportuar se kishte ndodhur në Stokholm kishte përfunduar për shkak të mungesës së provave.
Ylli i Real Madridit, nuk u përmend kurrë zyrtarisht nga prokurorët suedezë dhe nuk u njoftua prej tyre se ishte nën dyshimin për një krim.
Në tetor, kur u shfaqën akuzat, avokati i Mbappé-s tha se klienti po përgatitej të pastronte emrin e tij me një pretendim për shpifje. Mbappé i përshkroi më parë raportimet si “lajme të rreme”.
Prokurorja e lartë Chirakova, e cila drejtoi hetimin paraprak, i konsideroi provat “të pamjaftueshme për të vazhduar më tej dhe për këtë arsye hetimi është mbyllur”.
Përdhunimi i supozuar dhe dy raste të ngacmimeve seksuale thuhet se ndodhën në një hotel në kryeqytetin suedez më 10 tetor.
Disa media suedeze, duke përfshirë gazetat Aftonbladet dhe Expressen, dhe transmetuesin publik SVT, e cilësuan Mbappé si të dyshuar.
Ai kishte qenë në Stokholm në atë kohë.
Policia u pa duke vizituar hotelin ku ai kishte qëndruar. Një raport tha se ata kishin marrë veshje nga hoteli si dëshmi.
Avokati i tij më parë dënoi raportet e mediave suedeze si shpifje dhe tha se asgjë nuk dihej për ankesën.
“[Mbappé] kurrë nuk është vetëm. Ai kurrë nuk vihet në një pozicion ku përfundon në një situatë që do ta çonte në rrezik”, tha Marie-Alix Canu-Bernard



