Arratisja dramatike e Assadit: Rrëzimi i një sundimi 50-vjeçar dhe fluturimi drejt Rusisë
storm•/Siri-Rusi: Bashar al-Assad ka dhënë llogari për orët e fundit para largimit të tij nga Siria, në një deklaratë të publikuar më 16 dhjetor nga Moska, ku i është dhënë azil politik. Ai tregoi se u evakuua më 8 dhjetor nga baza ajrore ruse Hmeimim, ndërsa kjo e fundit po sulmohej nga dronët, pasi kishte braktisur Damaskun atë mëngjes përballë avancimit të shpejtë të forcave rebele.
Ofensiva e udhëhequr nga grupi islamist Hayat Tahrir al-Sham përmbysi më shumë se 50 vite sundim të familjes Assad. Në deklaratën e tij, Assad tha se nuk kishte konsideruar dorëheqjen apo strehimin dhe qëndroi në Damask deri në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit.
Duke përshkruar largimin e tij, Assad tregoi se pasi arriti në Latakia për të mbikëqyrur luftimet, u detyrua të evakuohej në Rusi nga baza Hmeimim, që ishte nën sulm të ashpër ajror dhe nga e cila forcat siriane ishin tërhequr plotësisht. Moska organizoi largimin e tij emergjent, ndërsa Kremlini konfirmoi më 9 dhjetor se Vladimir Putin kishte urdhëruar dhënien e azilit për ish-presidentin sirian.
Sipas Reuters, Assadi kishte mbajtur planet e arratisjes të fshehta, madje duke mashtruar ndihmësit dhe të afërmit e tij për të siguruar një ikje të papritur.
Rrëzimi i Assadit shënon fundin e një epoke të gjatë autokratike në Siri dhe mbetet një nga arratisjet më dramatike të një lideri modern.



