Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes për zbatimin e deklaratës për personat e zhdukur.
“Pas tre vjetësh dialog, bisedimesh të vazhdueshme dhe tendencave të pajustifikueshme për zvarritje nga ana e Serbisë, sot në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur”,thuhet në njoftim.
Komisioni ka vlerësuar se ky hap, përbën një moment të rëndësishëm në adresimin e shqetësimeve tona lidhur me këtë çështje kaq të ndjeshme dhe të rëndësishme për familjet dhe shoqërinë tonë.
”Komisioni i Përbashkët, i kryesuar nga Bashkimi Evropian, do të jetë trupa më e lartë që do të ketë përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit efektiv dhe në plotësi të Deklaratës së Personave të Zhdukur. Njëkohësisht, do të shërbejë si platformë, ku më në fund do të mund të adresojmë të gjitha shqetësimet tona sa i përket ngecjeve në proces dhe mosadresimit adekuat të këtyre ngecjeve apo pengesave; përfshirë këtu mungesën e bashkëpunimit të Serbisë në Grupin Punues dhe refuzimin për të hapur arkivat përkatëse”, thuhet në njoftim.



