Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mosparaqitjen e tij në Prokurorinë Speciale më 16 dhjetor, ku ishte ftuar për të dëshmuar lidhur me rastin e rezervave shtetërore.
Haradinaj e cilësoi veprimin e Kurtit si të “paprecedentë dhe të pafalshëm”, duke akuzuar kryeministrin për përfshirje të drejtpërdrejtë në korrupsion dhe për krijimin e një ambienti të mbrojtur për të korruptuarit.
“Mendoj që sjellja e Kurtit është e paprecedentë. Pra është e pafalshëm, një sjellje e tillë, nuk është se është e re, ai ka sulmuar organet e rendit, të ligjit e ka sulmuar prokurorinë, ka mbrojtur të korruptuarit. Mirëpo edhe akti i mosshkuarjes është i paprecedente, i pafalshëm. Mendoj që kjo dëshmon se si nuk është me ligjin, ai është me të korruptuar me korrupsionin, me hajnin. Po të mos ishte i përfshirë në korrupsion, mos të mos ishte shefi i atyre që janë përfshirë në korrupsion, po të mos i kishte ato lidhjet e shkurt, ndoshta edhe s’do të kishte pas arsyeje me ik”, ka thënë Haradinaj në Debat Plus.
Në lidhje me kritikën e tij të mëhershme, Haradinaj rikujtoi qëndrimet e Kurtit ndaj prokurorisë, duke thënë se sulmet e tij të vazhdueshme kundër organeve të drejtësisë tregojnë qartë një tendencë për të mbrojtur individë të korruptuar nga radhët e partisë së tij.
“Unë e kam akuzuar Kurtin në parlament për lidhjet e shkurt, për krijimin e ambientit të sigurt për korrupsion për njerëzit e tij të besueshëm. Sepse këtë bindje e kam krijuar kur e sulmonte prokurorin dhe jo të korruptuarit”, ka shtuar Haradinaj.
Ndonëse nuk shkoi për tu intervistuar në prokurori, Kurti kishte shprehur gatishmërinë “t’i mirëpres” prokurorët e rastit në zyrën e tij.
Shkaku i udhëtimit sot s’iu shkoi për intervistim, Kurti i fton në zyrën e tij dy prokurorët e Speciales
Haradinaj deklaroi se ky veprim po dëmton imazhin ndërkombëtar të Kosovës, duke e paraqitur atë si një shtet “mafioz” dhe jo ligjor.



