AAK-ja përmes Departamentit për Ujë dhe Politika Mjedisore kanë akuzuar Qeverinë Kurti për kapjen e kompanive publike të ujit dhe dështim në menaxhimin e tyre.
Ky Departament kanë thënë se Kurti në këto ndërmarrje ka vendosur njerëzit e partisë dhe nuk i kanë afruar ekspertët.
AAK në këtë reagim përmendin emrin e Dejona Mihalit, si personi brenda LVV-së që është marrë me çështjen e Bordeve të kompanive publike.
“Është interesant të theksohet se qysh atëherë kishin qarkulluar informata se për zgjedhjen e bordeve të përkohshme të kompanive “kujdesej” një grua nga Shqipëria. Më vonë, doli se pikërisht kjo grua ishte Dejona Mihali, e cila do të kishte një rol kyç në jetën tonë të projektuar nga Kryeministri Kurti”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë:
Kapja e Kompanive Publike të Ujit dhe Dështimi i Menaxhimit në Qeverisjen Kurti
AAK, përmes Departamentit për Ujë dhe Politika Mjedisore, është përpjekur që, përmes komunikatave për shtyp, të paraqesë dështimet serioze të Qeverisë Kurti në menaxhimin e kompanive publike. Kjo, ndonëse Kurti, gjatë fushatës së tij në zgjedhjet e kaluara, kishte arritur të bindë një pjesë të madhe të qytetarëve dhe një pjesë të konsiderueshme të ekspertëve se pikërisht përmirësimi i menaxhimit të kompanive publike dhe mirëqenia e qytetarëve do të ishte prioritet, ndërsa çështjet me dialogun me Serbinë i kishte ranguar në fund të listës së prioriteteve.
Por çfarë ndodhi në të vërtetë pas marrjes së pushtetit?
- Fillimisht, instalimi i bordeve të përkohshme u bë me një “kujdes të madh”,duke përfshirë individë pa përvojë dhe të afërt me pushtetin, ndërkohë që pjesa më e madhe e ekspertëve të angazhuar më parë në sektor ishin eliminuar. Është interesant të theksohet se qysh atëherë kishin qarkulluar informata se për zgjedhjen e bordeve të përkohshme të kompanive “kujdesej” një grua nga Shqipëria. Më vonë, doli se pikërisht kjo grua ishte Dejona Mihali, e cila do të kishte një rol kyç në jetën tonë të projektuar nga Kryeministri Kurti.
- Edhe me fillimin e emërimeve të bordeve të rregullta u ndoq e njëjta praktikë. Në bordet lokale ishte shumë më lehtë, ngase emërimet kryesisht vinin nga njerëzit e politikës ose në bazë të lidhjeve me pushtetin, ndërsa rastet e perfshirjes së ekspertëve të mirëfilltë ishin shumë të pakta, ngase ata ishin nënshtruar filtrimit nga lart, të ndihmuar edhe nga “gruaja e Shqipërisë”. Në bordet qendrore, situata ishte më e ndërlikuar për vendosjen e njerëzve lojalë ndaj tyre, pasi intervistimet kryheshin njëkohësisht nga qeveria britanike dhe autoritetet vendore. Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e Kurtit arritën me “mjeshtëri” të manipulojnë të dy komisionet – atë qeveritar dhe britanik – duke larguar kandidaturat që ishin vlerësuar me nota të larta dhe që plotësonin kriteret për të qenë pjesë e këtyre bordeve, dhe duke emëruar kryesisht individë që konsideroheshin të lojalë dhe të afërt me partinë në pushtet.
- Për ta bërë mashtrimin edhe më të madh, duke pretenduar se do të kishte ndryshime rrënjësore në sektor, u nxor Vendimi i Qeverisë Kurti Nr. KNMU/V/01/2022 për monitorimin e performancës së Kompanive Rajonale të Ujësjellësit (KRU) në Kosovë. Ky vendim, sipas shumë ekspertëve, ishte i domosdoshëm dhe i drejtë, duke krijuar një përshtypje pozitive. Ai sinjalizonte një orientim drejt menaxhimit më profesional dhe transparent të KRU-ve dhe krijoi idenë se, pas tij, pozitat si anëtar bordi apo Kryeshef Ekzekutiv i një kompanie publike nuk do të shiheshin më si privilegj, por si një përgjegjësi. Fatkeqësisht, që nga nënshkrimi i këtij vendimi, asnjë hap konkret nuk është ndërmarrë për zbatimin e tij, as nga Ministria e Ekonomisë, e cila është aksionare e këtyre kompanive, dhe as nga ARRU, që ka përgjegjësinë ligjore për monitorimin e performancës së KRU-ve. Për më tepër, duket se ky vendim është harruar plotësisht, duke humbur kështu një mundësi të rëndësishme për përmirësimin e menaxhimit të këtyre kompanive. Për të vërtetuar punën dhe efikasitetin e këtyre bordeve dhe menaxhmenteve, ishte ballafaqimi me sfidat që i karakterizojnë këto institucione. Këto sfida përfshinin përmbushjen e objektivave të performancës së përcaktuara përmes planeve të tyre të biznesit, si dhe përballjen me raste emergjente, si problemi me cilësinë e ujit të ndikuar nga përmbajtja e manganit në Liqenin e Badovcit dhe menaxhimin e situatës së krijuar nga sulmi terrorist në kanalin Iber-Lepenc.
a) Shumë investime kapitale me rëndësi jetike për qytetarët e Republikës së Kosovës, si ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave të zeza dhe projektet infrastrukturore të mbështetura nga investime ndërkombëtare, po zhvillohen me ritme tepër të ngadalta ose janë bllokuar pa ndonjë arsye të justifikueshme. Këto bllokada janë rezultat i drejtpërdrejtë i keqmenaxhimit të këtyre kompanive, dhe për këto dështime askush nuk mban përgjegjësi e aq me teper te kete ndeshkime.
b) Këto borde dhe menaxhmentet e tyre, pa përjashtim, kanë dështuar në përmbushjen e caqeve kyçe të përcaktuara përmes planeve të biznesit, siç janë: zvogëlimi i humbjeve të ujit në sistem, që mesatarja kalon shkallën mbi 50% në sektorin e ujit, si dhe mungesa e investimeve kapitale për ripërtëritjen e rrjetit të ujësjellësit, me çka do të ndikohej sado pak në zvogëlimin e këtyre humbjeve. Në vend që të ketë ndëshkime për këto borde, Qeveria Kurti, as ARRU si autoritet i pavarur, në asnjë moment nuk ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj bordeve dhe menaxhmentit të këtyre kompanive. Përkundrazi, Qeveria Kurti është “kujdesur” që njerëzit e saj të besuar të shpërblehen me përgjegjësi më të larta, siç ishte rasti i kryesueses së Bordit të Drejtorëve të KRU Hidromorava, znj. Filloretë Gashi Sadiku, e cila është e njohur për lidhjet e saj me pushtetin dhe është renditur e gjashta në listën për Bordin e KEK-ut, me mundësi për t’u zgjedhur në këtë bord.
c) Një shembull tipik që ilustron abuzimin me pushtetin dhe keqpërdorimin e parasë publike është ai i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) Hidromorava. Pavarësisht përballjes së vazhdueshme me humbje të larta të ujit, gjatë tre viteve të fundit, që nga emërimi i bordit aktual nga kjo qeveri, nuk është ndërmarrë asnjë investim për ripërtëritjen e rrjetit të ujësjellësit – një hap i domosdoshëm për uljen e këtyre humbjeve. Përkundrazi, vetëm një muaj më parë, kompania ka shpenzuar 164,000 euro për blerjen e automjeteve. Ky shpenzim është i pajustifikueshëm dhe kërkon ndëshkim, qoftë nga Qeveria Kurti apo nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU). Situata bëhet edhe më shqetësuese po të kihet parasysh se vetëm dy vite më parë kompania kishte blerë automjete të reja për nevojat e saj. Duket se këto automjete nuk kanë arritur të përmbushin “apetitet” e luksit të bordit dhe menaxhmentit të KRU Hidromorava.
d) Menaxhimi i cilësisë së ujit me përmbajtje të manganit nga KRU Prishtina ishte një problem serioz. Për dy muaj, qytetarët e furnizuar me ujë nga ky burim ishin privuar nga përdorimi i tij për pije dhe gatim, duke e vështirësuar ndjeshëm jetën e tyre. Èshtë shqetësuese se, edhe pse ky fenomen ishte përsëritur nga viti i kaluar, KRU Prishtina nuk kishte marrë masa për menaxhimin e këtij problemi. Për këtë gjithashtu nuk kishte pasur asnjë reagim nga Ministria e Ekonomisë, si aksionare direkte e këtyre kompanive, apo ARRU si autoritet i pavarur.
e) Menaxhimi teknik i situatës gjatë sulmit terrorist në kanalin Ibër-Lepenc kishte lënë shumë për të dëshiruar. Gjatë kësaj periudhe delikate, nuk u pa një involvim i mjaftueshëm i ekspertëve të fushës nga ana e qeverisë. Po ashtu, dështoi komunikimi i mirëfilltë me konsumatorët lidhur me përdorimin e ujit të pijshëm nga komunat që shfrytëzojnë këtë ujë. Ministria e Shëndetësisë kishte lëshuar një njoftim se uji nga kanali Ibër-Lepenc nuk ishte i pijshëm, ndonëse dihet që asnjëherë uji nga ky kanal nuk ka qenë i pijshëm pa trajtim në impiantet për trajtimin e ujit. Kjo shkaktoi një frikë të panevojshme te qytetarët.
Në përfundim, menaxhimi i dobët i kompanive publike gjatë qeverisjes Kurti ka nxjerrë në pah mungesën e përmbushjes së premtimeve për përmirësimin e transparencës dhe efikasitetit. Këto dështime kanë përkeqësuar sfidat e trashëguara në sektorin e ujit, duke ndikuar negativisht jo vetëm në cilësinë e shërbimeve ndaj konsumatorëve, por edhe në mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve. Përkeqësimi i infrastrukturës së ujit, mungesa e investimeve strategjike dhe mosadresimi i problemeve kryesore kanë çuar në ndërprerje të shpeshta të furnizimit dhe në ulje të standardeve të shërbimeve bazë.
Një nga arsyet kryesore të këtij dështimi është mungesa e përgjegjësisë ndaj bordeve dhe menaxhmenteve të paafta, të cilat nuk kanë zbatuar praktika efektive menaxhimi. Në vend që të prioritizohen investimet e nevojshme për përmirësimin e infrastrukturës dhe uljen e humbjeve të ujit, burimet financiare shpesh janë shpenzuar në projekte joprioritare. Kjo qasje joefikase ka përkeqësuar gjendjen e kompanive publike dhe ka dobësuar besimin e qytetarëve te institucionet.
Date: 18.12.2024
AAK, Departamenti për Ujë dhe Politika Mjedisore



