“Ushtria e Kim Jong-un gati për t’u përballur me Shtetet e Bashkuara”
Më 10 shtator, lideri i Koresë së Veriut, diktatori i “lazdruar”, Kim Jong-un, shprehu dëshirën e tij për të përmirësuar fuqitë bërthamore të vendit. Përballë “kërcënimeve gjithnjë më të shumta” nga Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut, Kim Jong-un dëshiron të vazhdojë zhvillimin e arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut, ndërsa thekson se Pheniani do të mbetet një fuqi bërthamore “e përgjegjshme”, raporton media franceze Le Figaro.
“Armët tona bërthamore, të cilat përdoren për të na mbrojtur, nuk janë kërcënim për askënd,” siguroi ai. Sipas Kim Jong-un, aftësitë e dislokimit të fuqive bërthamore duhet të përmirësohen. Në përvjetorin e 76-të të themelimit të Republikës Popullore Demokratike të Koresë, ai e përsëriti qëllimin e tij: do të dyfishojë përpjekjet për të siguruar që forcat e armatosura të vendit, përfshirë forcat bërthamore, të jenë “plotësisht të gatshme për luftë”.
Ky njoftim vjen në një kohë kur tensionet midis dy Koreve po përshkallëzohen dita-ditës. Së fundmi, 250 raketahedhës balistikë janë dislokuar pranë kufirit me Jugun.
by: Storm-rks + mediat ndërkombëtare