Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kujtuar fjalët e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova, për objektivat e anëtarësimit në BE, NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në Kuvendin e Kosovës ia tha se këto fjalë të thjeshta të Rugovës janë gjithçka, që të mos humbet objektivi historik për bashkimin në familjen evropiane dhe për të mos hequr nga mendja shansin historik, shans që shqiptarët mund ta shfrytëzojnë vetëm si “trimi i mirë me shokë shumë”.
“Plotë 20 vjet më parë në vitin 2004, presidenti gjithnjë më i pranishëm me mungesën e tij në jetën politike, tha diçka edhe për ne sot, duke na kujtuar se “objektivat e përbashkëta të Kosovës e të Shqipërisë janë integrimi në BE, NATO dhe miqësi permanente me SHBA-në. E themi me bindje të plotë se shqiptarët në përgjithësi janë në rrugë të progresit, janë populli më dinamik në këtë pjesë të Evropës dhe botës, dhe kanë shansin historik të hyrjes me vlerat e tyre në familjen e madhe BE. Këto fjalë të thjeshta janë gjithçka, për të mos humbur nga sytë objektivin historik të bashkimit në familjen e madhe evropiane të të dy shteteve tona, dhe për të mos hequr nga mendja se këtë shans historik, shqiptarët mund ta shfrytëzojnë më sukses, vetëm si trimi i mirë me shokë shumë”, ka thënë Rama.
Ai tha se në rrugën drejt integrimit dhe sikur Kosova të shkëlqente njëlloj sikur Shqipëria në arenën ndërkombëtare.
“Ndërkohë që Shqipëria ecë me hapa të shpejt, përfundimisht të pandalshëm për t’u bashkuar me Evropën, paramendoni se sa më krenar, do t’i bënim gjithë shqiptarët anë e mbanë, se çfarë vlere do t’i jepnim emrit të Shqiptarit dhe forcës së shqiptarisë, sikur në këtë udhëtim të ishim krah për krah me Kosovën, sikur dhe Kosova të shkëlqente njëlloj ndërkombëtarisht, duke hedhur vallen e kësaj kohe drejt shqiptarëve në një ritëm, me pagëzuesit e lirisë dhe me bekuesit e pavarësisë së saj. Sikur në sofrën e kombeve të Ballkanit të ishim së bashku, në krye të vendit, si një mishërim i vlerave evropiane, ku në këtë rajon, mos e harroni kurrë, jemi i vetmi komb që flet një gjuhë po aq të vjetër sa vetë gjeneza e Perëndimit”, ka thënë Rama.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës ka përmendur edhe gjykimin që po ndodhë në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Kransiqit dhe Rexhep Selimit.
Rama ka thënë se pa UÇK-në në krye me Hashim Thaçin, e sotmja me siguri do të ngjante më shumë me të kaluarën se sa me të ardhmen.
“Çfarë rruge do të kishte marrë fati i Kosovës në fillim të këtij shekulli. Po çfarë ne dimë me siguri që ato qaste të vendimmarrjes të mëdha, s’do të kishin ardhur ashtu siç erdhën dhe e sotmja me shumë gjasë do t’i ngjante të shkuarës sesa të ardhmes, pa UCK-në në krye me Hashim Thaçin”, ka thënë Rama.
Kryeministri shqiptar ka shprehur dhe habinë e tij se si në Kuvendin e Kosovës s’është marrë asnjë iniciativë për të ngritur shqetësimet sa i përket procesit gjyqësorë në Hagë, që sipas Ramës është nën nivelin e drejtësisë që ndodh në vendet të cilat e financojnë Gjykatën.
“Por sot që jemi të gjithë këtu në Kuvendin ku u shpall dhe u firmos pavarësia e Kosovës. Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi vazhdojnë të mbahen peng prej gati 5 vjetësh në qelitë e drejtësisë ndërkombëtare, që në çdo hap ka zhgënjyer këto që ka pritur prej saj virtytet e drejtësisë.
Unë s’e kam diskutuar të drejtën e asaj gjykate speciale që ia kanë hartuar edhe vendimmarrja e kësaj salle, ku vetë Hashimi ka ngritur dorën. Por ajo që nuk vij dot deri këtu në Prishtinë të marrë fjalën dhe pastaj ta gëlltis, në këtë foltore para jush, në mungesë të Hashimit, Kadriut, Jakupit dhe Rexhepit, është nyja e mbledhur në fyt, se ai proces është proces i parregullt ligjor dhe se normat e standardet janë nën nivelin e shteteve që e financojnë.
S’mund të rri dot pa ua thënë vëllazërisht, çudinë time që në këtë sallë s’është marrë një nisëm, të përkrahur nga të gjitha partitë politike, për të shprehur shqetësimin e madh për standardet e atij procesi dhe për të kërkuar një mision verifikimi lidhur me këtë shqetësim. Gjykata është e pavarur, por standardet nuk janë të varura nga gjykatësit. Ndoshta ky shqetësim gjerësisht i përhapur mund të mos qëndrojë, por nëse qëndron kjo është një gjëmë e madhe, jo për ata 4 njerëz të thjeshtë, dhe për Kosovën, por edhe për drejtësinë ndërkombëtare, që kjo sallë ia dha në mirëbesim gjykimin e historisë që lindi Republikën”, ka thënë Rama.
“S’mund të lihet një heshtje shurdhuese, që ushqehet nga motivet nga më fisniket deri tek ato politike, që ajo gjëmë ta bëjë dëmin e saj deri në fund”, ka shtuar tutje.
Rama gjithashtu ka thënë se nëse Kuvendi i Kosovës do të ndërmerrte ndonjë iniciativë për të votuar ndonjë rezolutë lidhur me procesin e gjykimit që po ndodhë në Gjykatën Speciale, ka premtuar se partia e tij do ta depozitonte edhe në Kuvendin e Shqipërisë të njëjtën rezolutë, nëse do t’i kërkohej.
Ndryshe, pas fjalimit të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, deputetët e Qeverisë në pushtet nuk e përshëndetën me duartrokitje.