A e ka në dëshirën e tij politike, formën autoritare të qeverisjes, kryeministri Kurti?
Në shikim të parë, imazhet që përfshijnë Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke i përshëndetur qytetarët nga ballkonet, qoftë ajo nga ballkoni i ndertesës së qeverisë dikur apo kjo në therandë nga ballkoni i Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyqi” në mbrëmjen e 16 shtatorit, për disa sugjerojnë “…një figurë të re që përqafon fuqinë politike dhe afërsinë me masën”, por gjithashtu për shumë të tjerë ngrenë pyetje mbi natyrën e stilit të tij të qeverisjes dhe drejtimit nga po shkon Kosova. Një analizë e këtyre fotove dhe kontekstit politik aktual ngre çështje të rëndësishme: A po shkon drejt një forme më autoritare të qeverisjes Kurti, apo thjesht po përpiqet të forcojë rolin e tij politik në një Kosovë ende të brishtë nga këndvështrimi politik, institucional dhe diplomatik në raport me Serbinë dhe Bashkësinë ndërkombëtare?
Dikur ishte “rebel opozitar”, sot po duket një lider i pushtetshëm (kup. në rrugën e autoritarit)
Albin Kurti ka ndërtuar karrierën e tij politike mbi një “frymë të fuqishme opozitare”. I njohur si një aktivist dhe kritik i ashpër i institucioneve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, që prej viteve 2000, Kurti ka qenë simbol i kundërshtimit të fortë ndaj sistemit që ai e konsideronte “të korruptuar dhe jo legjitim”. Megjithatë, që nga momenti kur ai mori pozitën e Kryeministrit, disa vëzhgues politikë kanë filluar të vërejnë ndryshime drastike në stilin e tij qeverisës.
Siç e cekëm më lartë, në fotografitë e bashkëngjitura, kryeministri Kurti duke përshëndetur turma të konsiderueshme të qytetarëve. Këto skena të asocojnë me figura liderësh që shpesh lidhen me populizmin apo qasjet autoritare në qeverisje. Këto forma të dukshme distancimi fizik nga njerëzit, te shoqëruara me një pozicion të lartë dhe dominues, lënë një përshtypje të një udhëheqësi që qëndron mbi turmat (mbi njerëzit), në vend që të jetë mes tyre. Këto momente kapin një Kurti që ndoshta përpiqet të projektojë fuqinë dhe besimin, por gjithashtu ngrenë dilema nëse këto shfaqje publike simbolizojnë një distancë nga populli dhe bashkëpunëtorët që e sollën atë në pushtet.

Populizëm apo autoritarizëm në formim?
Kurti ka mbajtur gjithmonë një “stil qeverisës të fortë dhe të qartë, duke kërkuar të rikthejë rendin në institucione dhe të luftojë korrupsionin, si dhe të ruajë një politikë të jashtme të palëkundur në mbrojtje të integritetit të Kosovës” – është një interpretim që shpesh degjohet nga tavolinat e analizës nga mbështetësit e kryeminstrit. Megjithatë, ndoshta pa vetëdije (edhe pse vështirë te thuhet se Kurti bënë gjëra pa vetëdije), disa nga veprimet e tij mund të perceptohen si përpjekje për të konsoliduar pushtetin e tij në mënyrë të tillë që mund të përfshijë elementë autoritarë.
Përshëndetjet nga ballkonet dhe ndarja e hapësirës me figurat e tij të afërta politike rikujtojnë një skenë që shpesh përdoret nga liderë që duan të krijojnë një imazh të fortë publik përmes simboleve të fuqisë. Megjithatë, ka një vijë të hollë mes populizmit dhe autoritarizmit. Ndërsa Kurti “ka ende mbështetje të fuqishme në popull për reformat e tij dhe përkushtimin ndaj Kosovës”, këto momente të qeverisjes së tij po analizohen nga disa njohës dhe nga kundërshtarët politik si shenja të një udhëheqësi që dëshiron më shumë kontroll dhe ndikim.
Një rrugëtim në zhvillim apo një përfundim i rrugëtimit?
Në përballjen me një “Kosovë të paqëndrueshme politikisht dhe me presion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar” – siç shpesh i referohet vet, Kurti mund të ndjejë nevojën për të centralizuar pushtetin dhe për të dhënë mesazhe të fuqishme, që shpesh interpretohen si tendenca autoritare. Por, mbetet për t’u parë nëse këto veprime janë pjesë e një strategjie të brendshme të fuqizimit të rolit të tij politik, që mund të jenë një rrugë në zhvillim apo thjesht një manifestim i stilit të tij qeverisës që nën arsyetimin se po “synon të unifikojë vendin nën një lidership të fortë”, po deshironë të kalojë në një lider autoritarë, gjë që do të mund të ishte fundi i rrugëtimit të tij politik, sepse shumë nga njohës të proceseve shprehen se një gjë të tillë s’do të kapërdihej nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Analiza e ardhshme e rrugëtimit dhe vendimeve të tij do të tregojë më shumë për këto.
by: Storm-rks + materiale nga mediat tjera