Storm/Perkujtimor: Në përkujtim të dëshmorëve kombëtarë, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, shumë liderë politikë shprehën respektin dhe mirënjohjen e tyre për kontributin e jashtëzakonshëm të çiftit në luftën për liri.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ishte ndër të parët që reagoi, duke i cilësuar Fehmiun dhe Xhevën si themeltarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shembuj të idealit të pastër të luftëtarëve për liri. Haradinaj kujtoi përjetimet e tij personale me ta, sidomos gjatë betejave të ashpra të luftës, duke theksuar vendosmërinë dhe guximin e tyre deri në rënien heroike në Drenicë.

Poashtu, nga opozita, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, shprehu mirënjohjen e tij për sakrificën sublime të Fehmiut dhe Xhevës, duke theksuar rolin e tyre kyç në luftën për liri dhe rëndësinë e përjetësimit të veprës së tyre.
Nga ana tjetër, reagimet e liderëve institucionalë erdhën më vonë gjatë ditës. Kryeministri Albin Kurti, në një postim të mëvonshëm, nderoi kujtimin e çiftit Lladrovci dhe bashkëluftëtarëve të tyre, duke theksuar që sakrifica e tyre mbetet themeli mbi të cilin u ndërtua liria e Kosovës. Megjithatë, vonesa në reagimet nga disa liderë të institucioneve shtetërore, si dhe mosreagimi i të tjerëve, siç janë Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe Kryeparlamentari Konjufca, janë për t’u kritikuar nga opinioni publik.
Fehmi dhe Xhevë Lladrovci mbeten ndër figurat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, duke u kujtuar çdo vit për sakrificën e tyre të përbashkët dhe përpjekjet e palodhura në rrugën drejt lirisë së vendit/ storm-rks