Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar rëndësinë e kontribuimit të grave dhe vajzave në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në kuadër të shpalljes së vitit 2025 si Vit i Gruas nga kryeministri Albin Kurti, Maqedonci ka shprehur krenarinë për 358 gra dhe vajza ushtarake që shërbejnë në FSK, përfshirë 1 Gjeneralmajore, 1 Kolonele, 3 Nënkolonele, 3 majore, 3 kapitene, 13 togere, 9 nëntogere, 226 nënoficere dhe 90 ushtare.
“Forca jonë e Sigurisë i ka 358 gra e vajza ushtarake. Ato shërbejnë në të gjitha armët me profesionalizëm dhe me patriotizëm të lartë. Ato janë krenaria e Forcës sonë”, ka shkruar Maqedonci.
Postimi i plotë:
Si ish ushtarak kam pasur fatin e nderin që të punoj me gra dhe vajza ushtarake në vendin tonë.
Forca jonë e Sigurisë i ka 358 gra e vajza ushtarake. Ato shërbejnë në të gjitha armët me profesionalizëm dhe me patriotizëm të lartë.
Ato janë krenaria e Forcës sonë.
Ndaj unë sot në ditën kur Kryeministri Kurti njoftoi për shpalljen e vitit 2025 si Vit i gruas dua të veçoj kontributin e grave oficere në forcimin e FSK-së.
E po ashtu të ftoj vajzat që të aplikojnë në konkurset e ardhshme për kadete.
Në FSK i kemi 1 Gjeneralmajore, 1 Kolonele, 3 Nënkolonele, 3 majore, 3 kapitene, 13 togere, 9 nëntogere, 226 nënoficere e 90 ushtare.
Presim çdo muaj e vit që këto numra të rriten e për këtë do të punojmë së bashku që ta mbërrijmë.
Nuk do ta ndalim punën deri të bëhen të paktën 1000 ushtarake.