Suhareka është zgjuar këtë mëngjes më shtëllunga të mëdha tymi.
Në orët e hershme të mëngjesit qendra e madhe tregtare ETC është përfshirë nga flakët.
Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka thënë se po mundohen që ky zjarr të lokalizohet me aq kapacitete sa ka qyteti.
“Disa biznese janë përfshirë në rrezik nga zjarri. Po mundohemi ta lokalizojmë me kapacitetet qe i kemi”, ka shkruar Muharremaj.
Nga ana tjetër, policia u ka thënë mediave se zjarri ka shpërthyer në këtë qendër tregtare rreth orës 06:17.
Nga ky zjarr përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar.
“Sot me datë 19.01.2025 rreth orës 06:17 është raportuar se ka shpërthyer një zjarr në qendrën tregtare ETC në Suharekë. Zjarrfikësit, policia dhe KEDS kanë dal në vendngjarje. Zjarri ka marr përmasa të mëdha. Zjarrfikësit po punojnë në shuarjen e tij. Për momentin është arrit të eliminohet rreziku që zjarri të përhapet më tutje. Si pasoj e zjarrit janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, por të lënduar nuk ka të raportuar deri më tani. Policia do ta hetoj rastin si incident zjarri”, ka thënë Bytyqi.