Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon dëshminë ish-këshilltari juridik i UNMIK-ut, Hansjeorg Strohmeyer, i cili mban kodin 02183 në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dhomat e Specializuara këtij dëshmitari, i kanë dhënë garanci, të cilën gjë e përmendi në seancë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, duke thënë se “nuk duhej ta kishte thënë këtë”.
Dhe për ketë nuk u bë e ditur se çfarë garancie i është dhënë këtij dëshmitari.
Pyetjet për këtë dëshmitar i parashtroi mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, i cili u fokusua tek formimi i Këshillit Transitor të Kosovës.
Sa i përket kësaj strukture, Strohmeyer kishte deklaruar se Thaçi i kishte caktuar vetëm emrat nga UÇK-ja.
Gjithashtu, kishte shtuar se nuk ka dashur që t’i përfshijë serbët apo grupet e tjera etnike, si dhe ka dashur që të minimizojë ndikimin e grupeve shqiptare të Kosovës siç është Lidhja Demokratike e Kosovës.
Dëshmitari në seancë mohoi se ka dijeni se pjesë e kësaj strukture kishte nga ndërkombëtarë, por theksoi që kishte edhe shqiptarë të tjerë përveç atyre që i përkisnin UÇK-së.
Gjithashtu, në seancë u mor vendim që dëshmitari 02714 mund të dëshmojë përmes video-lidhjes.