spot_img
E martë, 30 Shtator, 2025
05:14
HomeShëndetiShqetësuese / IKSHPK: Rritja e rasteve të gripit ka tejkaluar pragun epidemik

Shqetësuese / IKSHPK: Rritja e rasteve të gripit ka tejkaluar pragun epidemik

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Përhapja e shpejtë e gripit sezonal dhe rritja e madhe e rasteve të dyshimta me këtë sëmundje ngjitëse, kanë bërë që të tejkalohet pragu epidemik, ka paralajmëruar të enjten Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Pragu epidemik është parametër që përcakton nëse një sëmundje ngjitëse mund të përhapet tek popullata. Ai përdoret për të vlerësuar rreziqet e mundshme të një epidemie dhe për të filluar me zbatimin e masave të duhura kontrolli.

- Advertisement -

Sipas institutit, në Kosovë pragu kalohet kur regjistrohen 5.000, apo më shumë raste me grip.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, instituti tha se nga 6 deri më 12 janar është raportuar një numër prej 7.826 rastesh të dyshimta me sëmundje të ngjashme me gripin.

- Advertisement -

Ndërsa, nga Klinika Infektive është raportuar një rast i vdekjes, i moshës 79-vjeçare.

“Çdo sezon, institucionet shëndetësore kosovare regjistrojnë raste te vdekjeve dhe atë kryesisht te moshat mbi 65-vjeçare dhe rastet me sëmundje kronike përcjellëse, me trend të ngjashëm sikurse edhe në shtetet evropiane”, tha IKSHPK.

Çdo vit, kryesisht gjatë sezonit të dimrit, gripi sezonal prek rreth 1 miliard njerëz, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

OBSH-ja vlerëson se ka rreth 3 deri në 5 milionë raste të rënda me grip sezonal në botë, dhe mes 290.000 dhe 650.000 vdekje në vit në botë.

Çfarë është gripi sezonal?

Gripi sezonal është sëmundje akute infektive, e cila te një numër i konsideruar i rasteve shkakton komplikime serioze shëndetësore, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.

Simptomat e gripit zakonisht fillojnë rreth dy ditë pas infektimit dhe zgjasin zakonisht një javë. Simptomat përfshijnë: ethe papritmas, kollë (zakonisht e thatë), dhimbje koke, dhimbje të muskujve dhe kyçeve, dhimbje të fytit dhe rrjedhje e hundës.

Shumica e njerëzve e shërohen vetë nga gripi. Megjithatë, njerëzit me simptoma të rënda apo me sëmundje të tjera përcjellëse, duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore, raporton REL.

Vaksina është mënyra më e mirë për ta parandaluar gripin sezonal. Imuniteti nga vaksina venitet me kalimin e kohës, prandaj këshillohet vaksinim vjetor për t’u mbrojtur nga gripi sezonal.

Instituti tha se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar për këtë sezon 85.000 doza të vaksinës dhe qytetarët mund të vaksinohen në secilën komunë, në qendrën më të afërt të mjekësisë familjare.

Ai i përsëriti thirrjet për qytetarët që të vazhdojnë të vaksinohen.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat