Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, trupi gjykues në çështjen gjyqësore ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës, ka caktuar afatin për parashtrimin e materialeve provuese relevante që mund të ndihmojnë në përcaktimin nëse ekziston bazë faktike e mjaftueshme që vërtetojnë veprat penale dhe pjesëmarrjen e të akuzuarve në ato vepra.
Zëdhënësja e DhSK-së, Angela Grip, gjatë konferencës javore të enjten, ka thënë se Prokuroria dhe mbrojtja janë urdhëruar që këtë material ta parashtrojnë deri më 24 janar 2025.
“Në çështjen gjyqësore Sabit Januzi, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shala, më 16 janar, Trupi Gjykues urdhëroi Prokurorinë dhe Mbrojtjen të parashtrojnë deri më 24 janar të gjithë materialin provues relevant që mund të ndihmojë Trupin Gjykues të përcaktojë nëse ekziston bazë faktike e mjaftueshme për vërtetimin e veprave penale dhe pjesëmarrjen e të akuzuarve në to. Rregullorja e Procedurës dhe e Provave përcakton se Trupi Gjykues mund të miratojë një marrëveshje për pranimin e fajësisë në qoftë se bindet se ekziston bazë faktike e mjaftueshme për vërtetimin e veprës penale he pjesëmarrjen e të akuzuarit; se i akuzuari kupton plotësisht marrëveshjen për pranimin e fajësisë dhe pasojat e saj dhe se është pajtuar me vullnet të lirë me këtë marrëveshje dhe pranon faktet në lidhje me akuzat që përfshihen aty”, tha Grip.
Versionet e redaktuara publike të dosjeve paraprake të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit dolën më 17 dhe 20 janar 2025.
“Më 21 janar, Trupi Gjykues lëshoi versionin e redaktuar publik të Vendimit të 7 tetorit 2024 për të hedhur poshtë një pjesë të kërkesës së Mbrojtjes së Bahtijarit për ekzaminim mjekësor të z. Bahtijari në lidhje me argumente mbrojtëse të mundshme”, tha ajo.
Sa i takon synimit të Mbrojtjes për mbledhjen e provave mjekësore për argumentet e saj, Trupi Gjykues rikujtoi se, sipas Rregullores së Ndihmës Juridike, Mbrojtjes i akordohet një fond për të marrë konsulentë të jashtëm, ku mund të përfshihen ekspertët.
“Për këtë arsye, është përgjegjësi e Mbrojtjes të mbledhë prova që i nevojiten për argumentet e saj, përfshirë prova mjekësore për të mbështetur argumente mbrojtëse të mundshme gjatë gjykimit”, tha Grip.