Storm/SHBA: Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke zhvilluar një vizitë të zgjatur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është angazhuar në një seri takimesh të rëndësishme për të avancuar marrëdhëniet ndërkombëtare dhe interesat e Kosovës, sipas përshkrimit që i bën vet znj.Osmani. Një nga takimet kyçe ka qenë ai me ndihmës-sekretarin amerikan të Shtetit, Jim O’Brien, ku është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-ve, me fokus në integrimin euroatlantik të Kosovës, si dhe paqen dhe sigurinë në rajon. Ata gjithashtu kanë biseduar për rolin e SHBA-ve në dialogun Kosovë-Serbi, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për kapërcimin e sfidave të përbashkëta.
Gjatë qëndrimit të saj në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Osmani është takuar me shumë personalitete e udhëheqës shtetesh e institucionesh, ndër ta edhe me Presidentin e Guinea-Bissau, Umaro Sissoco Embaló. Në këtë takim u diskutuan mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe për mbështetjen e Kosovës në forumet ndërkombëtare, veçanërisht nga vendet afrikane.
Vizita përfshin gjithashtu pjesëmarrje në forume të nivelit të lartë, si Samiti i Grave për Paqe dhe Siguri organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku është biseduar për temat kyçe të sigurisë globale dhe përparësitë e përbashkëta në kuadër të NATO-s.
Kjo vizitë sipas Presidentes, ka konsoliduar më tej aleancën e fortë mes Kosovës dhe SHBA-ve, dhe përmes takimeve të ndryshme, Presidentja Osmani “po punon për të forcuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe për të promovuar interesat e qytetarëve të saj në arenën globale”.
Sipas publikimeve të Presidentes, ajo e ka takuar edhe njëherë në orët e vona sipas kohës lokale të SHBA-ve, presidentin Joe Biden, por në fakt fotoja e publikuar para një ore me orën lokale tonën, është realizuar para dy ditëve, gjatë ceremonisë së pritjes nga Presidenti Biden dhe Zonjës së Parë Jill, të liderëve te Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ku ka marrë pjesë edhe Presidentja Osmani. Por ajo foton e publikon sot (27/09/2024), ku në mbishkrim ka shënuar: “Aleancë që qëndron në themelet e shtetit tonë! dhe Faleminderit Presidentit Biden dhe Zonjës së Parë Dr. Biden për mikpritjen dhe bashkëbisedimin!” – ndoshta e ka patur për gjithë vizitën e saj në SHBA, ku i dihet? / Storm-rks