Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim (DnV), ka mbajtur konferencën e tretë për media gjatë së cilës ka shpalosur të dhënat për mbarëvajtjen e tri javëve të fushatës zgjedhore, mbulimin medial, gjuhën e urrejtjes dhe shpenzimet në rrjetet sociale.
Edhe në javën e tretë fushata zgjedhore është zhvilluar në një atmosferë kryesisht të qetë, me përjashtim të një incidenti në Skenderaj me 27 janar, ku disa qytetarë janë mbledhur në qendër të qytetit dhe kanë protestuar kundër tubimit të LVV-së duke hedhur mjete piroteknike në lokacionin ku po mbahej tubimi i kësaj partie si dhe është ndërprerë edhe energjia elektrike.
Ky akt ishte një sulm ndaj lirisë së grumbullimit dhe shprehjes së lirë, duke krijuar një atmosferë tensioni dhe pasigurie që bie në kundërshtim të plotë me parimet themelore të demokracisë.
Meqë edhe gjatë javës së tretë ka vazhduar përdorimi i gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes nga partitë politike, është shtuar edhe numri i vendimeve dhe i gjobave të PZAP-së. Ndërsa intensiteti i fushatës është shtuar nga dita në ditë dhe me takime të formateve të ndryshme.
Deri më tani, DnV ka monitoruar 582 aktivitete të subjekteve politike në tërë vendin, prej të cilave 207 janë mbajtur vetëm në javën e fundit. Tashmë, me numrin më të madh të aktiviteteve prin PDK-ja me 165 aktivitete, e cila ka tejkaluar LDK-në që ka 151 aktivitete. Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur 120 aktivitete, AAK-ja 89 aktivitete, ndërsa subjektet tjera politike (përfshirë edhe ato nga radhët e komuniteteve) kanë mbajtur rreth 60 tubime publike. Tubime kanë organizuar edhe partitë nga komuniteti serb në Kosovë, ku në këto zgjedhje për dallim nga zgjedhjet e kaluara ku garonin vetëm 3 partitë vogla serbe, në këto zgjedhje në garë janë 6 parti. Fushata e tyre është duke u zhvilluar në të gjitha komunat serbe.
Subjektet politike kanë mundur të organizojnë tubime pa kufizime. Megjithatë, vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar që 24 nga aktivitetet e subjekteve politike, janë mbajtur në kundërshtim me legjislacionin i cili përcakton obligime për paralajmërim të aktiviteteve 24 apo 48 orë më herët. Këtu përfshihet edhe incidenti në Skenderaj, i cili cënoi lirinë e grumbullimit, si një nga parimet themelore demokratike.
Objektet publike, përfshirë palestrat sportive, shtëpitë e kulturës, shkollat etj, vijojnë të mbesin gjerësisht vendet e preferuara për organizim të aktiviteteve nga partitë, të cilat 75% të aktiviteteve i kanë zhvilluar në objekte publike.



