Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ripërsëriti të martën idenë e tij për zhvendosjen e përhershme të palestinezëve nga Gaza, duke thënë se njerëzit atje nuk kishin alternativë tjetër veçse të largoheshin nga enklava palestineze e shkatërruar nga sulmi ushtarak i Izraelit.
Trump, i cili do të takonte kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të martën, së pari paraqiti sugjerimin për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza më 25 janar, duke i kërkuar Egjiptit dhe Jordanisë të marrin më shumë njerëz.
Kur u pyet në atë kohë nëse ai po sugjeronte një zgjidhje afatgjatë apo afatshkurtër, ai tha: “Mund të jetë ose”.
Ai e ka përsëritur atë plan të paktën katër herë, duke përfshirë të martën kur tha se palestinezët në Gaza mund të shkojnë edhe në vende të tjera përtej Jordanisë dhe Egjiptit.
Jordania, Egjipti dhe kombe të tjera arabe, si dhe udhëheqësit palestinezë, kanë hedhur poshtë publikisht idenë që kritikët thonë se do të përbënte spastrim etnik.
Komentet e presidentit amerikan i kanë bërë jehonë frikës së kahershme palestineze për t’u dëbuar përgjithmonë nga shtëpitë e tyre.
“Unë ndihem shumë ndryshe për Gazën se sa shumë njerëz. Mendoj se ata duhet të marrin një tokë të mirë, të freskët dhe të bukur, dhe ne i detyrojmë disa njerëz që të mbledhin para për ta ndërtuar atë, për ta bërë të bukur dhe për ta bërë të banueshme dhe e këndshme”, u tha Trump gazetarëve të martën.
“Unë nuk e di se si ata (palestinezët) mund të duan të qëndrojnë”, tha Trump kur u pyet në lidhje me reagimet e liderëve palestinezë dhe arabë ndaj propozimit të tij.