Storm/Partitë: Behgjet Pacolli, i njohur për këmbënguljen e tij si biznesmen i suksesshëm, vazhdon të mbajë këtë qasje edhe në politikë, edhe pse aktualisht është vetëm një deputet i Kuvendit të Kosovës nga partia e tij, AKR. Me zgjedhjet e ardhshme të planifikuara për t’u mbajtur më 9 shkurt 2025, Pacolli ka marrë disa ish-anëtarë të larguar nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) – partia në pushtet – me synimin për të kaluar pragun prej 5% dhe për të formuar një grup parlamentar me orientim konservator-tradicional.
Pacolli, gjatë një qëndrimi të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ndarë përvojën e tij përmes një postimi, ku theksoi takimin e tij me Jack Ma, themeluesin e “Alibaba Group”, një prej platformave më të mëdha të tregtisë online në botë. Ai e përshkroi udhëtimin si të lodhshëm por energjik dhe e veçoi këtë takim si një prej momenteve të rëndësishme të vizitës.
“Gjatë një udhëtimi shtatë-ditor në Shtetet e Bashkuara, qëndrova në New York, ku takova Jack Ma, themeluesin e ‘Alibaba Group’. Ishte një përvojë e veçantë. Edhe pse jam në kontakt të vazhdueshëm me shumë partnerë nga e mbarë bota, ky takim kishte një rëndësi të veçantë për mua”, shkroi Pacolli.
Ai gjithashtu premtoi se nuk do të dorëzohet në përpjekjet e tij për ta zhvilluar Kosovën dhe për ta bërë një vend atraktiv për investime të mëdha.
“Kam premtuar vetes dhe fëmijëve të mi se do ta zhvillojmë Kosovën, do ta bëjmë atraktive për investime madhore dhe të sigurt për të gjithë. Së bashku me miqtë e mi, ne do ta arrijmë këtë,” përfundoi ai mesazhin e tij.
Ndërkohë, në Kosovë, teksa Pacolli po njihet me figurat e mëdha të biznesit botëror, Partia e tij, ajo e Albin Kurtit dhe partitë tjera, po përballen me dinamikat e politikës vendore, me sfidën e kalimit të pragut zgjedhor, apo kalimit të 50+1%-shit, si synim kryesor.