Presidenti i Ukrainës, Vladimir Zelensky, ka reaguar sërish mbrëmjen e së mërkurës në një fjalim live, duke deklaruar se bashkë me Amerikën dhe Evropën, paqja mund të jetë më e sigurt.
“Kryesorja është se ky nuk është vetëm qëllimi ynë, por edhe një synim i përbashkët me partnerët tanë. Sidomos në prag të përvjetorit të tretë të fillimit të kësaj lufte, një luftë që ne në Ukrainë duam ta përfundojmë që në sekondën e parë.” duke shtuar se km besim se do të përfundojmë me një paqe të besueshme,” shtoi ai.
Lidhur me të dërguarin e presidentit Trump, gjeneralin Kellogg i cili ndodhet në Kiev në lidhje me negociatat për fundin e luftës, presidenti ukrainas lajmëroi se të enjten do të ketë një takim mes tyre.
“Gjenerali Kellogg është tashmë në Kiev. Ai tashmë është takuar me komandantin e përgjithshëm Syrsky, zyrtarët tanë të inteligjencës dhe shërbimeve speciale. Nesër do ta takoj personalisht. Është shumë e rëndësishme për ne që takimi dhe puna e përgjithshme me Amerikën të jetë konstruktive.”, u shpreh Zelensky në ditën kur Donald Trump e akuzoi atë si “një diktator të pazgjedhur”. “Bota duhet të zgjedhë nëse do të jetë me Putinin apo me paqen”, shtoi ai.
Zëvendëspresidenti Vance e paralajmëroi presidentin ukrainas që të mos sulmojë Presidentin Donald Trump, duke thënë se “përbuzja” e tij në publik do të rezultonte e kundërt.
Në një intervistë me Daily Mail, Vance u shpreh se “kushdo që e njeh presidentin do t’ju thotë se ideja që Zelensky do të ndryshojë mendjen e presidentit duke e kritikuar publikisht në media nuk është mënyra për t’u marrë me këtë administratë”.
“Sigurisht, ne e duam popullin ukrainas, ne e admirojmë guximin e ushtarëve, por sigurisht mendojmë se kjo luftë duhet të përfundojë shpejt,” vazhdoi Vance.



