Rreth 160,000 njerëz kanë kaluar kufirin nga Libani në Siri që nga përshkallëzimi i konfliktit në Liban muajin e kaluar, tha të enjten Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR).
Shumica dërrmuese e njerëzve po largohen nga Libani në lindje, drejt kryeqytetit sirian të Damaskut.
Pos sulmeve në Liban, Izraeli vazhdon ofensivën në Gaza, ku për vetëm një ditë janë vrarë rreth 100 persona.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka raportuar se 169 persona janë plagosur në 24 orët e fundit.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve që nga 7 tetori i vitit të kaluar, është rritur në 41,788, me 96,794 të lënduar, tha ministria në një deklaratë të enjten.
Zyrtarë të kësaj ministrie kanë thënë se shumë viktima mbeten të bllokuar nën rrënoja, me ekipet e emergjencës të paaftë për t’i arritur ato.
Për zhvillimet e fundit në Lindje të Mesme është pyetur presidenti i SHBA, Joe Biden, nëse i njëjti do të mbështeste Izraelin që të godiste rezervat e naftës të Iranit si hakmarrje për sulmin masiv me raketa të së martës nga Irani.
“Ne jemi në diskutime për këtë” por “asgjë nuk do të ndodhë sot; do të flasim për këtë më vonë”, tha shkurt Biden.
Një ditë më parë ai e bëri të qartë se nuk e mbështet një sulm izraelit ndaj vendeve bërthamore iraniane.