Storm/Deti i Kuq: Pamjet video tregojnë momentin kur rebelët Houthi të Jemenit lëshuan një varkë dron të ngarkuar me eksploziv drejt një anije nafte britanike në Detin e Kuq.
Në pamjet e publikuara nga grupi Houthi, shihet një shpërthim i fuqishëm pranë anijes cisternë “Cordelia Moon”, duke dëmtuar njërin nga rezervuarët dhe mbuluar anijen me re tymi.
Sulmi ndodhi rreth 110 km larg qytetit port Hodeidah në Jemen, duke synuar anijen cisternë me flamur panamez, të martën.
Një kapiten i një anijeje pranë raportoi për katër “pika të ujit” pranë anijes, që sipas Qendrës së mbikëqyrur nga Marina Amerikane, ishin raketa të lëshuara që nuk arritën ta godasin objektivin.
Rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, morën përgjegjësinë për sulmin, duke pretenduar se anija u godit me tetë raketa balistike dhe me krahë, një dron dhe një varkë pa ekuipazh.
Një anije tjetër, e drejtuar për në Kanalin e Suezit, me flamur të Liberisë, u dëmtua pasi u godit nga një raketë rreth 97 milje detare në veriperëndim të Hodeidah, raportoi firma britanike e sigurisë Ambrey dhe burime të tjera të sigurisë detare.
Të dyja anijet raportuan se ekuipazhet e tyre ishin të sigurta.
Këto ishin sulmet e para ndaj anijeve tregtare në javët e fundit, ndërsa lufta midis Izraelit dhe Libanit kërcënon të përhapet në një konflikt rajonal më të gjerë.
Rebelët Houthi kanë kërcënuar me “përshkallëzim të operacioneve ushtarake” kundër Izraelit, pasi forcat e tyre dyshohet se rrëzuan një dron ushtarak amerikan mbi Jemen.