Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) shpreh shqetësimin lidhur me siç kanë thënë ata “qasjen refuzuese të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të dëshmuar në ambientet e Prokurorisë Speciale, në rastin e njohur si “Rezervat Shtetërore””.
KDI thekson se ky veprim sfidon dhe minon parimin themelor të sundimit të ligjit dhe barazisë para ligjit, dy shtylla kyçe të rendit demokratik.
Sipas KDI-së, refuzimi i kryeministrit për t’u përgjigjur një ftese zyrtare të organeve të drejtësisë, sipas procedurës së paraparë ligjore, ushqen përshtypjen e gabuar se parimi i barazisë para ligjit nuk vlen për zyrtarët e lartë, të cilët mund të shmangin rregullat që vlejnë edhe për qytetarët e tjerë.
KDI gjithashtu thekson se insistimi i kryeministrit për të diktuar kushtet e dhënies së dëshmisë – duke këmbëngulur që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij dhe jo në ambientet e Prokurorisë – krijon një precedent të rrezikshëm dhe bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi.
KDI nënvizon se sundimi i ligjit nënkupton që askush, pavarësisht pozitës apo funksionit, nuk gëzon trajtim të veçantë përballë institucioneve të drejtësisë.
“Roli i Kryeministrit nuk është të vërë në pikëpyetje apo të negociojë zbatimin e procedurave ligjore, por të tregojë se askush – as vetë ai – nuk është mbi ligjin. Duke refuzuar të paraqitet në Prokurori sipas kërkesës zyrtare, Kryeministri bie ndesh me pritshmëritë e qytetarëve për llogaridhënie dhe transparencë. Për më tepër tani që procesi zgjedhor, në aspekt të votimit, veçse ka përfunduar, dhënia e dëshmisë nga ana e Kryeministrit nuk prodhon asnjë efekt elektoral kundrejt tij apo subjektit që ai përfaqëson”, thuhet në reagim.
KDI-ja fton Kurtin që të bashkëpunojë me organet e drejtësisë, me ç’rast të paraqitet pa kushte në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e kërkuar.
“Vetëm duke vepruar në këtë mënyrë, ai mund të forcojë besimin e publikut tek institucionet shtetërore dhe të dëshmojë se, në një shtet ligjor të vërtetë, askush nuk është mbi ligjin”, thekson KDI.