Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar që të rinumërohen të gjitha qendrat e vendvotimeve në komunën e Vushtrrisë.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Valon Preteni, ka thënë se kanë pranuar ankesë nga një kandidate për deputete.
“Do të bëhet rinumërimi dhe varësisht nga rezultatet do të veprohet. Ka pasur ankesë prej një kandidateje për deputete”, ka thënë Preteni.
Aktualisht po bëhet numërimi i votave me kusht.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nga numërimi i 44 vendvotimeve nga 56 në total, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 2.634 vota apo 40.21 për qind, pasuar nga Partia Demokratike me 1186 vota apo 18.11 për qind, Lidhja Demokratike me 887 vota apo 13.54 për qind.
Koalicioni AAK-Nisma aktualisht ka 407 vota apo 6.21 për qind.