Ushtria izraelite ka njoftuar për rrethimin e Jabalya-s në veri të Gazës.
Përpara operacionit tokësor në kampin e refugjatëve, sulmet ajrore u kryen gjatë natës, konfirmoi ushtria, e cila ka thënë se këto sulme kanë përfshirë objektet për ruajtjen e armëve, zona të infrastrukturës nëntokësore, qeliza terroriste dhe zona shtesë të infrastrukturës ushtarake.
Një gazetar në zonë tha për CNN se sulmet zgjatën rreth 90 minuta dhe ishin të përqendruara në Jabalya lindore dhe afër qytetit të Gazës.
Anëtarët e Shoqërisë së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, thanë se dy persona ishin vrarë dhe disa të tjerë u dërguan në spital pasi u godit një apartament në një ndërtesë pranë klinikës UNRËA në kampin e refugjatëve Jabalya.
Në një deklaratë, ushtria tha se kishte zbuluar praninë e anëtarëve të Hamasit në zonë, si dhe përpjekjet e tyre “për të rindërtuar aftësitë e saj operacionale në zonë” dhe po ecën përpara me operacionin për “çmontimin” e kësaj infrastrukture në zonë, duke thënë se do të “vazhdojë për aq kohë sa kërkohet për të arritur objektivat e saj”.
Më herët të dielën, ushtria izraelite paralajmëroi banorët në veri të Gazës që të evakuoheshin.
Në vazhdën e konfliktit, ushtria izraelite ka konfirmuar se “ka kryer një sërë sulmesh në shënjestër” në zonën e kryeqytetit të Libanit Bejrut gjatë natës, duke thënë se kishte në shënjestër “objektet e ruajtjes së armëve” dhe pjesë të tjera të infrastrukturës së Hezbollahut.
Zëdhënësi në gjuhën arabe për Forcat e Mbrojtjes të Izraelit u kërkoi banorëve të disa lagjeve që të evakuohen përpara atyre që ai tha se do të ishin sulme ndaj objektivave që i përkisnin grupit militant të mbështetur nga Irani.
Më herët, ekipi i CNN në terren në Bejrut njoftoi për shpërthime të vazhdueshme për disa orë.
Numri i viktimave nuk është ende i qartë.



