Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se ai është i gatshëm të kursejë jetën e ushtarëve ukrainas në rajonin e Kurskut.
Komentet e tij erdhën si përgjigje ndaj thirrjes së presidentit amerikan Donald Trump për jetën e ushtarëve të bllokuar nga trupat ruse.
Putin thotë se një dorëzim dhe tërheqje e plotë nga rajoni i Kurskut është e nevojshme për të zbatuar thirrjen e Trump.
“Për zbatimin efektiv të thirrjes së Presidentit të SHBA-së, është i nevojshëm një urdhër përkatës nga udhëheqja ushtarako-politike e Ukrainës për njësitë e saj ushtarake që të dorëzojnë armët dhe të dorëzohen”.
Putin shtoi se ushtarakëve “do t’u garantohet jeta dhe trajtimi i denjë”.
“Dëshiroj të theksoj se nëse ata dorëzojnë armët dhe dorëzohen, do t’u garantohet jeta dhe trajtimi i denjë në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare dhe ligjet e Federatës Ruse. Është një kthim prapa nga disa ditë më parë, kur ai deklaroi se i gjithë personeli ushtarak ukrainas i kapur në rajon “do të trajtohet si terroristë”.
Udhëheqësi rus i bëri komentet teksa vizitoi rajonin e Kurskut të mërkurën për herë të parë që kur Kievi pushtoi vendbanimet atje në një ofensivë të befasishme ndërkufitare në gusht të vitit të kaluar.
Sipas një aktivisti të njohur ukrainas, Serhii Sternenko, forcat ruse dyshohet se kanë ekzekutuar gjithashtu të burgosur ukrainas të luftës (POW) në rajonin e Kursk.
Mediat ukrainase thonë se të paktën pesë të burgosur u ekzekutuan javën e kaluar, ndërsa Kremlini intensifikon operacionet e tij në rajon për të rimarrë territoret e ceduara.
Putin pohon gjithashtu se ushtarët ukrainas kanë kryer krime të shumta kundër popullatës civile.
“Ne tërheqim vëmendjen për faktin se militantët ukrainas kanë kryer krime të shumta kundër popullatës civile në zonën e pushtimit. Këto akte, siç e kam thënë tashmë, janë klasifikuar si terrorizëm nga Prokuroria e Përgjithshme e Federatës Ruse”, shtoi Putin.
Ushtria ruse, e mbështetur nga trupat e Koresë së Veriut, tani është afër largimit të plotë të forcave ukrainase nga baza e tyre në rajonin kufitar të Kurskut të Rusisë, gjë që do të ishte një pengesë e madhe për Kievin.



