(E përditësuar) 17:21
Nisin fjalimet në sheshin Sllavija
Në sheshin Sllavija të Beogradit, studentët kanë nisur t’i mbajnë fjalimet.
“Shikojeni sa shumë jemi këtu. Lë të zgjojë zëri ynë Serbinë”, ka thënë një student para turmës.
Një numër i madh njerëzish janë ende para ndërtesës së Parlamentit të Serbisë dhe në rrugët në afërsi.
(E përditësuar) 16:15
Fillon zyrtarisht protesta në Beograd
Në orën 16:00 ka filluar zyrtarisht protesta në Beograd.
Dhjetëra mijëra qytetarë janë mbledhur në rrugët kryesore të Beogradit pas thirrjes së studentëve.
Ja si duket protesta nga ajri:
(E përditësuar) 16:02
Vuçiq: Jam i bindur që do ta përballojmë gjithë presionin dhe sulmet e ditës së sotme
Në prag të protestës në Beograd, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka vëzhguar nga afër punimet e një kantieri ndërtimi EXPO dhe ka thënë që është i bindur se “ do të ruhen paqja dhe stabiliteti”.
“Jam i bindur që sot do ta përballojmë gjithë presionin, sulmet dhe do të ruajmë paqen dhe stabilitetin. Dhe më pas do të fitojmë në të ardhmen”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Instagram.
“Njerëzit kanë ëndrra të ndryshme. Disa ëndërrojnë për të shkatërruar diçka apo dikë, disa ëndërrojnë të ndërtojnë. Besoj se shumica e shtetasve serbë duan të ndërtojnë një Serbi më të mirë dhe më të suksesshme”, ka thënë Vuçiq të shtunën.
(E përditësuar)14:35
Dhjetëra mijëra njerëz afër Parlamentit
Dhjetëra mijëra njerëz janë mbledhur në Bulevardin ‘Mbreti Aleksandar’, afër Parlamentit të Serbisë, raporton një gazetar i Radios Evropa e Lirë prej vendit të ngjarjes.
Zona është e mbyllur për trafik.
Turma të mëdha njerëzish janë parë në qendër të qytetit, duke mbajtur flamuj të fakulteteve nëpër duar, flamuj të Serbisë, dhe simbole të qyteteve prej nga janë.