Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj vendimit të sotëm të qeverisë për rritjen e pensioneve për 20%, është e pamjaftueshme.
Këtë vendim ai e ka cilësuar pjesë e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit, derisa është zotuar se nëse i fiton zgjedhjet, në javën e parë të qeverisjes nuk do të ketë pension nën 150 euro.
Abdixhiku ka thënë se qeverisja e Albin Kurtit për katër vjet mandat, i ka shtruar vetëm 2 kilometra rrugë shtesë.
“Unë i pyes kosovarët sot a jeni më mirë sesa keni qenë para 4 vite. A janë fëmijët në shkolla më të mira, a janë spitalet më të mira, a janë rrugët më të mira”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se ai dialogun do ta bartë në Uashington e jo në BE, siç ka bërë sipas tij qeverisja aktuale.
Në lidhje me vendimin e qeverisë sa i përket mallrave serbe, ai ka deklaruar se Procesi i Berlinit është i pa alternativë dhe politikat e konfrontimit pa nevojë po e bëjnë që Kosova të humb pozicionin strategjik, duke u sanksionuar nga Perëndimi.
“S’ka njohje, s’ka avancim drejtë anëtarësimit në NATO, në BE, në Këshillin e Evropës”, ka thënë ai.