Storm/Prishtinë: Për mbi një vit, nxënësit e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Dardania” në Prishtinë, u detyruan të mësojnë me orar të shkurtuar e me kohë të papërshtatshme në një shkollë tjetër të kryeqytetit, shkaku i vonesave të shumta në rregullimin e kësaj shkolle.
Përkundër shumë ankesave të prindërve, gjendja aty nuk ka ndryshuar, punimet vazhdojnë të zvarriten.
Këtë vit shkollor, nxënësit e kësaj shkolle janë kthyer në objektin e gjysmë përfunduar, por shumë gjëra aty janë kryer sa për sy e faqe.
Prindër të nxënësve të kësaj shkolle kanë thënë për Storm se rregullimi i brendshëm lë për të dëshiruar, kualiteti i karrigeve e tavolinave është shumë i dobët, ku plotë prej tyre janë prishur në afat të shpejtë.
Poashtu, shumë nga klasat aty ende punojnë me tabela klasike.
Për më tepër, kjo shkollë nuk ka as dollap për vendosjen e librave të nxënësve, e për pasoj këta të fundit janë detyruar cdo ditë të bartin çantat e rënda, duke rrezikuar shëndetin e tyre.
Një zgjidhje për këtë çështje nuk e ka bërë as menaxhmenti e as drejtoria përkatëse e Komunës së Prishtinës.
Duke parë këtë situatë, prindërit e nxënësve që ndjekin mësimin në këtë shkollë, kanë marrë iniciativën për ta furnizuar shkollën me dollapë.
Drejtoria e kësaj shkolle ka njoftuar për ardhjen e tyre, duke i falënderuar prindërit për këtë iniciativë.
“Ju falënderojmë për kontributin tuaj të çmuar në dhurimin e dollapëve për nxënësit. Ndihmesa juaj ka një ndikim të madh në përmirësimin e mjedisit shkollor dhe organizimin e klasave. Vlerësojmë shumë bujarinë dhe mbështetjen tuaj si komunitet i prindërve në procesin edukativ të fëmijëve dhe nxënësve tanë”, thuhet në njoftimin e drejtorisë së shkollës.
Megjithatë, kjo e fundit nuk ka dhënë më shumë detaje nëse këta dollapë janë të mjaftueshëm për të gjithë nxënësit që ndjekin procesin mësimor.