SPAK ka vendosur ta zgjasë sërish me tre muaj afatin e hetimeve ndaj ish-zëvendëskryeministrit të Shqipërisë, Arben Ahmetaj – një prej figurave më të lakuara të aferës mafioze me inceneratorët. Ndonëse ndaj tij rëndojnë akuza të rënda për “pastrim parash”, “fshehje pasurie” dhe “korrupsion pasiv”, drejtësia shqiptare vazhdon të ecë me ritme prej breshke.
Kjo është hera e tretë që Prokuroria e Posaçme (SPAK) shtyn hetimet, duke i dhënë vetes afat deri më 23 qershor 2025 për të mbyllur dosjen që rëndon mbi Ahmetajn – tashmë në arrati që prej korrikut 2023, i shpallur në kërkim për përfshirjen direkte në mega-skandalin e inceneratorëve.
Ish-ministri, në kohën kur ushtronte funksione të larta qeveritare, dyshohet se ka firmosur dhe mundësuar koncesione të dyshimta për biznese klienteliste. Ndaj tij është hapur edhe një hetim pasuror, ku janë sekuestruar dy vila luksoze, disa apartamente dhe llogari bankare.
Nga njëra anë SPAK premton drejtësi, nga ana tjetër e toleron arratisjen e një ish-zyrtari të lartë që përfaqëson simbolet e korrupsionit në Shqipërinë e tranzicionit të pafund. A ka SPAK guxim të shkojë deri në fund me Arben Ahmetajn, apo do të mbetet gjithçka në lojën e zakonshme të zvarritjes?