Pak orë pas certifikimit të zgjedhjeve nga KQZ, deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, i është drejtuar gjykatës.
Ai ka bërë të ditur se në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka dorëzuar padinë për shpifje ndaj Dejona Mihalit, aktiviste e VV, pas akuzave të rënda dhe të pabaza që kjo e fundit ia ka bërë atij.
“Ajo më ka akuzuar padrejtësisht për manipulim të votave të diasporës, një shpifje e pastër që synon të dëmtojë integritetin tim dhe besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor. Unë besoj në ndershmërinë e procesit demokratik dhe nuk do të lejoj që askush të përhapë shpifje për qëllime politike. Prandaj, përmes kësaj padie, po mbroj jo vetëm dinjitetin tim, por edhe parimin se zgjedhjet duhet të jenë të pastra dhe të drejta, të mbrojtura nga çdo tentativë për manipulim apo diskreditim përmes shpifjeve. Drejtësia duhet të thotë fjalën e saj dhe e vërteta duhet të mbizotërojë mbi shpifjet!”, ka shkruar Zogaj.