Rritja prej 20 eurosh për pensionistët, e miratuar së fundmi nga qeveria, ka ngjallur reagime të ashpra nga radhët e opozitës.
Zyrtarja e PDK-së dhe njëkohësisht kuvendare e kësaj partie në Vushtrri, Zoja Hajrizi, ka akuzuar kryeministrin Kurti për manipulim të votuesve me këtë vendim, duke e cilësuar si një “poshtërsi elektorale” dhe jo një zgjidhje reale për problemet e pensionistëve.
“Çmimet e produkteve janë duke u rritur çdo ditë, dhe kjo duket si një lojë e radhës nga qeverisja. A nuk do të ishte më e arsyeshme të ofronin një rritje më të madhe, si 100 euro?” – ka deklaruar Hajrizi. Ajo theksoi se në kohën kur pensionistët kanë nevojë të shtuar për kujdes shëndetësor dhe përballen me kosto më të larta të jetesës, një rritje kaq e vogël nuk është e mjaftueshme.
Reagimi i Hajrizit vjen në një periudhë kur PDK-ja është në mes të fushatës për zgjedhjet e ardhshme, me kandidatin e tyre për kryeministër, Bedri Hamza, që po angazhohet në terren për të fituar mbështetjen e qytetarëve.