Brenda tri ditëve, Peshkopia është kthyer në vend i rrezikshëm për të jetuar.
E gjithë kjo ka ndodhur shkaku i helmimit të deri më tani 200 banorëve.
Nga e hëna deri të mërkurën kanë marrë mjekim në urgjencë banorët e tetë fshatrave që furnizohen me ujë nga ujësjellësi i Saponikës.
Ky i fundit rezulton të jetë edhe burimi i këtij helmimi.
“Kanë dalë analizat e ujit të Ujësjellësit të Sopanikës që furnizon këto fshatra dhe ka ngarkesë mikrobakteriale. Pra uji nuk është i pijshëm”, ka njoftuar Nexhmedin Spahiu, prefekt i Qarkut Dibër.
“Rastet janë të formave të lehta me të përziera, të vjella dhe diarre. Fluksi ditën e parë ka qenë i shtuar, ditën e djeshme ka pësuar një rënie dhe sot totali i të rriturve dhe fëmijëve që janë paraqitur është 25 raste. Këto janë raste të formave të lehta dhe u bëjë thirrje banorëve të këtyre zonave që të trajtohen në shtëpi pa u paraqitur në spital, pasi nuk ka ndonjë gjë shqetësuese. Nuk kemi raste të hospitalizuara nga këto zona”, deklaroi Neada Hoxha, Shefe e Urgjencës së Spitalit Rajonal Dibër.
Autoritetet vendore konfirmuan se situata është krijuar për shkak të reshjeve, pasi ujërat e shiut të rënë ditët e fundit kanë depërtuar në depot e ujësjellësit të Sopanikës. Nga shoqëria Rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve në Dibër, institucioni që duhet të mbajë përgjegjësi për cilësinë e ujit, nuk ka ende një reagim.