Morgan Ortagus, zëvendësja e të dërguarit special të SHBA-së për Lindjen e Mesme, ka mbërritur në Liban për bisedime me udhëheqësit libanezë.
Kjo do të jetë vizita e saj e dytë që nga ardhja e administratës Trump dhe gjithashtu vizita e dytë që nga arritja e një armëpushimi në nëntor midis Hezbollahut dhe Izraelit.
Ardhja e të dërguarit të SHBA-së vjen pasi armëpushimi është tensionuar gjithnjë e më shumë nga sulmet izraelite.
Ushtria izraelite ka shtuar sulmet ndaj objektivave në Liban, duke përfshirë sulmet ajrore në kryeqytetin, Bejrut, dhe raketa janë hedhur nga Libani në territorin izraelit, derisa Hezbollahu ka mohuar përfshirjen në sulmin me raketa.
SHBA-të duan që Libani të kalojë nga faza e armëpushimit në ngritjen e komiteteve për të diskutuar çështjet e pazgjidhura me Izraelin.
Libani po refuzon të angazhohet në negociata të drejtpërdrejta politike me Izraelin që do të përfshinte figura civile në vend të përfaqësuesve ushtarakë.
Nga ana tjetër ushtria izraelite ka kryer disa sulme gjatë natës në të gjithë Gazën, duke përfshirë sulmet në Khan Younis në jug që kanë plagosur të paktën dy persona, ndërsa raportohet për të paktën 7 të vrarë, kryesisht njërëz të pa armatosur.
Këshilli Palestinez i Organizatave të të Drejtave të Njeriut, i përbërë nga nëntë grupe, i ka shkruar Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk duke i kërkuar veprim ndaj Izraelit.
“Synimi i Izraelit për të eliminuar dhe përfundimisht shkatërruar palestinezët në të gjithë Palestinën e pushtuar në mënyrë të paligjshme” është gjithashtu i dukshëm në Bregun Perëndimor të pushtuar, tha këshilli.
Këshilli i bëri thirrje Turkut që të etiketojë qartë sjelljen e Izraelit si gjenocid, të bëjë presion ndaj qeverisë izraelite për t’i dhënë fund gjenocidit, të sigurojë përgjegjësi për autorët izraelitë dhe të mobilizojë OKB-në për të zbatuar një plan për t’i dhënë fund gjenocidit kundër palestinezëve në të gjithë territorin e pushtuar.
Në vazhdën e këtyre zhvillimeve, mediat izraelite kanë paralajmëruar një vizitë të Netanyahut të martën në Shtëpinë e Bardhë, por deri më tani nuk ka asgjë zyrtare.



