Prokuroria Themelore e Prizrenit ka liruar dy qytetarë serbë, të cilët ishin arrestuar më 6 prill e për të cilët ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte thënë se ishin oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe.
Sipas Prokurorisë, ata u liruan në mungesë të provave.
“Është konstatuar se aktualisht nuk ekziston dyshimi i bazuar, si standard i nevojshëm ligjor për të justifikuar paraqitjen e kërkesës për masën e paraburgimit ose ndonjë masë tjetër për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.
Me këtë vendim nuk është pajtuar ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Haxhiu ka thënë se është shqetësuese “lehtësia e lirimit të këtyre personave dhe hedhja poshtë e aksioneve policore dhe institucioneve tjera të sigurisë, të cilët kapën me fakte e dëshmi këto dy grupe”.
“Po harxhojnë aq shumë resurse e kohë institucionet e sigurisë si dhe po rrezikohen punonjësit e këtyre, e në fund të arrestuarit lirohen?! Nuk di cila forcë tjetër i ka liruar këta persona sepse siç duket qartë forca e ligjit dhe e drejtësisë këtu nuk ka pasur peshë”, ka shkruar Haxhiu në reagimin e saj.
Reagim ka pasur edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Nuk di cila forcë tjetër i ka liruar këta persona sepse siç duket qartë forca e ligjit dhe e drejtësisë këtu nuk ka pasur peshë”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook.