Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, shprehu sot bindjen se vetëm një magji mund ta shpëtojë nga disfata opozitën dhe disfatën në 11 maj do e ketë më të madhe se ajo e vitit 1997.
Në një takim me gratë socialiste, Rama u shpreh se kush e do flamurin kombëtar më shumë se flamurin e “kënetës” dhe çdo moçalishteje rreth saj, duhet si qytetar t’i bashkohet PS-së në 11 maj.
Rama tha se PS është sot e vetmja zgjedhje e duhur në vendin dhe kohën e duhur për të vazhduar punën ditë-natë dhe për të mbyllur negociatat për anëtarësim në BE.
“Ata që do të dëgjojnë këtë apel nuk do të bëhen anëtarë të PS-së. Le ta mbajnë teserën e partisë, por ta thajnë “kënetën” që të shpëtojnë partinë. Shqipëria në 11 maj duhet të japë një mesazh: “Ne, populli shqiptar, pa dallim bindjesh partiake, e duam Shqipërinë sa më parë në familjen e bashkuar europiane””, tha Rama.
Rama kujtoi se “këneta” thotë se nuk është prioritet hyrja në BE, por “Shqipëria madhështore”.
“Thonë do ta shkrijmë SPAK në 11 maj. Po kur flasin për Amerikën dhe Presidentin amerikan sikur e kanë komshi që hyjnë e dalin për salcë kosi? Për të krijuar idenë se vërtetë hyjnë e dalin në Shtëpinë e Bardhë, kanë paguar me të gjithë puplat e kokës dhe trupit të bufit edhe një këshilltar që e quajnë “magjistari” dhe përpiqen të trullosin kë të munden: “Erdhi sherifi, erdhi Latifi”. “Bufi” e di më mirë se unë, më mirë se të gjithë që vetëm një magji mund ta shpëtojë nga disfata dhe disfatën në 11 maj do ta ketë më të madhe nga viti ’97”, shtoi Rama.
“Që ka në krye të tyre një tufë delirantësh që mendojnë se janë madhështorë, këtë e morëm vesh, por janë kaq shumë budallenjtë që iu shkojnë pas, ky do të jetë kurioziteti i tyre më 11 Maj. Si gjithmonë premtime dhe përbetimet madhështore deri ditën e zgjedhjeve, më pas fillojnë thirrjet madhështore në darkë, do të dalin edhe disa makina madhështore me flamuj, dhe më pas fillojnë klithmat madhështore për vjedhjen madhështore të një fitoreje madhështore deri në zgjedhjet e tjera”, ironizoi Rama opozitën.