spot_img
E hënë, 6 Prill, 2026
15:03
HomeKosovaImzot Dodë Gjergji uron besimtarët e krishterë për festën e Pashkëve

Imzot Dodë Gjergji uron besimtarët e krishterë për festën e Pashkëve

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Imzot Dodë Gjergji i ka uruar besimtarët e krishterë për festën e Pashkëve.

Ai tha se edhe pse kjo Pashkë e gjen “botën e përgjakur, një Evropë të përçarë dhe një Kosovë që rënkon nën barrën e papërgjegjësisë politike, pasigurisë për të ardhmen dhe ndarjeve të panevojshme”, ftoi të ruhet qetësia e shpirtit, shkëlqimi i shpresës dhe ngushëllimi i fesë.

- Advertisement -

“Sepse ne, që kemi besuar në Krishtin e Ngjallur, jemi të thirrur të bëhemi forca që i qëndron kohës, sado e vështirë të jetë ajo. Sot, kur bota na mban nën ankthin e pasigurisë, nën trysninë për t’iu nënshtruar vullnetit të të fuqishmëve, dhe kur lakmia për pasuri bën që zemrat e shumëve të vuajnë nën peshën e padrejtësisë; kur shpresat janë të mpira dhe jetët e të pafajshmëve në rrezik, ndërsa rruga drejt së nesërmes duket gjithnjë më e errët – atëherë fjala e Engjëllit pranë varrit të zbrazët tingëllon shpresëdhënëse dhe e guximshme: Mos kini frikë… Është ngjallur! (khs. Lk 24,5-6) dhe merr kuptimin e vet të plotë hyjnor” .

“Pashkët nuk janë thjesht një datë kalendarike apo një zakon që përsëritet çdo vit, por  një ngjarje e gjallë në jetët tona, që trondit rendin e zakonshëm të kësaj bote. Janë përmbysje e logjikës njerëzore dhe rilindje e përditshme që buron nga pagëzimi me ujë e Shpirt Shenjt. Pashkët na ndryshojmë nga brenda, për të qenë të qëndrueshëm përballë sfidave që vijnë nga jashtë”, tha Dodë Gjergji.

- Advertisement -

Tutje, Dodë Gjergji tha se lut Zotin që kjo Pashkë të bëhet për të gjithë një fillim i ri, ku paqja dhe pajtimi ndërmjet njerëzve në vend dhe në mbarë botën të bëhen qëllimi i përbashkët.

“Sidomos për ata që mbajnë përgjegjësi shoqërore, politike dhe ushtarake, të cilët janë të thirrur të çlirohen nga urrejtja, cinizmi dhe mentaliteti i vetë-mjaftueshmërisë – pa marrë parasysh nëse janë besimtarë apo jo”.

“Sepse jemi të bindur se çdo njeri e di dhe e pranon: paqja është më e dobishme se lufta, dashuria është më e fuqishme se urrejtja, dhe jeta është më e fortë se vdekja”.

“Ne lutemi, edhe pse e dimë se nuk mund ta ndryshojmë gjithë botën – por mund ta ndryshojmë veten tonë dhe mënyrën si ecim në këtë botë – dhe kjo mjafton që të bëhemi rrezatim i Atij që i ndryshon zemrat, i shenjtëron kohët dhe e shpëton njeriun nga vdekja – duke u bërë shenjë e gjallë e pranisë së Krishtit të Ngjallur në mesin tonë”, tha Dodë Gjergji.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat