Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë reaguar pas krizës së ushqimit të ushtarëve të FSK-së tash e disa kohë.
Vazhdimi i kësaj gjendje dhe mos gjetja e një zgjidhje për tejkalimin e krizës, sipas opozitës, po tregon paaftësinë e qeverisë karshi kësaj kategorie shumë të rëndësishme për vendin.
Ish-kryeministri dhe njëherësh kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se gjithë këto zhvillime, janë bërë qëllimshëm nga qeveria e tanishme.
“I mërzitur me gjendjen në të cilën Qeveria Kurti e ka sjellë Ushtrinë e Kosovës. Përvoja ime në udhëheqje dhe çështje të sigurisë më thotë se goditjet e Qeverisë Kurti kundër Ushtrisë, janë krejtësisht të qëllimshme e assesi të rastësishme. Përgjegjësia në këtë nuk është vetëm politike, por gjithashtu edhe penale e kombëtare. Loja me uniformën e shtetit nuk do t’i falet askujt. Ta ruajmë Ushtrinë, ta ndërrojmë Qeverinë!”, ka shkruar Haradinaj në një reagim.
Nga ana tjetër, dy deputetët e LDK-së, Anton Quni dhe Armend Zemaj, gjatë një konference për media, thanë se dështimet e qeverisë në furnizimin me ushqim, po rrezikojnë ushtarët e Kosovës.
“Kjo situatë alarmante, e konfirmuar nga Komandanti Jashari në një letër drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, është një pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit të qeverisë për të planifikuar dhe menaxhuar shërbimet thelbësore për ushtrinë tonë. Situata nuk është thjesht një çështje e vonesave në ushqim—është një çështje shëndeti, sigurie dhe gatishmërie operacionale. Ushtarët tanë tani përballen me kërcënimin real të helmimit nga ushqimi dhe infeksionit për shkak të kushteve të përkeqësuara higjienike dhe shërbimeve ushqimore të pasigurt”.
Në konferencë po ashtu u tha se kjo situatë ka ardhur shkaku i varësisë së qeverisë nga kontratat emergjente për blerje, të menaxhuara pa transparencë ose llogaridhënie.



