Dy goditje ndaj krimit brenda dy ditësh: Rrjet droge dhe laborator falsifikimi në Prishtinë
Prishtinë, 23 prill 2025 – Brenda vetëm dy ditësh, Policia e Kosovës ka ndërmarrë dy operacione të rëndësishme kundër krimit të organizuar, duke goditur fillimisht një rrjet të shpërndarjes së kokainës dhe sot një grup ndërkombëtar të përfshirë në falsifikimin e dokumenteve.
Sipas Policisë së Kosovës, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me njësi të tjera policore dhe partnerët ndërkombëtarë përfshirë Europol-in, ka zhvilluar një hetim disa-mujor që kulmoi me zbulimin e një sasie të konsiderueshme dokumentesh të zbrazëta (blanko) nga shtete të ndryshme, si dhe pajisje profesionale për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.

Hetimi kishte nisur në janar 2025, kur në Prishtinë u ndalua një automjet me targa vendore, i drejtuar nga një i dyshuar me inicialet F.K. Gjatë kontrollit, u gjetën dokumente të dyshimta, çka çoi më tej në bastisjen e një shtëpie në lagjen Veternik. Aty u zbulua një laborator i pajisur me pajisje të sofistikuara për falsifikim, përfshirë printerë dhe makina lazerike, si dhe dokumente me kopertina të vendeve të ndryshme evropiane dhe botërore.
Gjatë aksionit të sotëm, është intervistuar edhe një i dyshuar tjetër me inicialet SH.E., i cili ndodhet nën masën e ndalimit për 48 orë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Policia ka konfirmuar përkushtimin e saj për të vazhduar luftën kundër të gjitha formave të krimit, me fokus të veçantë në falsifikimin e dokumenteve dhe krimin ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me partnerët brenda dhe jashtë vendit.



